Martini “macja e zezë” e Tiranës

Futboll

Martini “macja e zezë” e Tiranës

Më: 25 shkurt 2023 Në ora: 19:07
Teuta

Edi Martini “macja e zezë” e Tiranës.

Trajneri shkodran duket se i njeh mirë bardheblutë dhe këtë herë i ka mposhtur sërish.

Në “Air Albania” feston Teuta, që ia doli të triumfojë 0-2. Për më tepër pati luksin të humbë një penallti dhe të luajë për më shumë se 20 minuta me një lojtar më pak.

“Djemtë e detit” morën avantazhin në minutën e 10’ me anë të Emiliano Vilës, ndërsa në minutën e 41-të Kallaku shpërdoroi nga pika e bardhë, duke humbur mundësinë e dyfishimit.

Ishte Visar Bekaj ai që priti goditjen e lehtë të fantazistit, duke mbajtur në lojë Tiranën, që mori një tjetër bonus në minutën e 73-të, kur Gruda mori kartonin e dytë të verdhë dhe la Teutën me 10 futbollistë.

Megjithatë kur të gjithë prisnin golin e barazimit, Emiliano Vila shënoi edhe të dytin për Teutën, duke vulosur një fitore mjaft të rëndësishme për durrsakët.

Këta të fundit kanë marrë 10 pikë në 4 ndeshjet e fundit dhe tani e shohin veten 9 pikë larg kreut. Me 13 javë ende në dispozicion askush nuk mund t’ua heqë të drejtën të besojnë te titulli.

Zhgënjen edhe Vllaznia, që nuk arrin të përfitojë nga hapat fals të Tiranës e Partizanit.

Shkodranët janë mposhtur me rezultatin minimal 0-*1 nga Kastrioti brenda në “Loro Boriçi”.

Një gol i Redon Mihanës në pjesën e parë vulosi fatin e sfidës në Shkodër. Kastrioti rikthehet te fitorja pas plot një faze, kur mposhtte sërish Vllazninë në Kamëz më 16 dhjetor të vitit të kaluar.

Nga ana tjetër shkodranët tregojnë se janë ende ajo skuadra e brishtë, që nuk di të krijojë vazhdimësi rezultatesh. Ndërkohë afrimi i bujshëm i janarit, Bekim Balaj do të duhet të presë ende për golin e parë kuqeblu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat