Blanc: Ndeshjet me Kosovën do të jenë duele në mes miqsh

Futboll

Blanc: Ndeshjet me Kosovën do të jenë duele në mes miqsh

Më: 14 mars 2023 Në ora: 15:22
Zvicra

Presidenti i Federatës zvicerane të futbollit, Dominique Blanc ka folur për përballjet që i presin “Helvetikët” në kualifikimet e Euro 2024, përfshirë këtu edhe ato me Kosovën.

Dy Kombëtaret do të përballen në mes vete dy herë gjatë këtij viti në kuadër të eliminatoreve për Evropianin e ardhshëm, ndërsa për të dyja vendet këto konsiderohen si duele speciale, duke e pasur parasysh se disa lojtarë të “Dardanëve” janë lindur e rritur në Zvicër dhe në anën tjetër, disa lojtarë nga Kosova luajnë për Zvicrën.

E për këto ballafaqime ka folur edhe numri 1 i futbollit zviceran.

"Për mua, ndeshjet kundër Kosovës janë dy duele mes miqsh.

E kemi një komunitet të gjerë dhe të madh të Kosovës në vendin tonë.

Është mjaft mirë i integruar dhe i kemi disa lojtarë në Kombëtare që janë me prejardhje nga Kosova.

Kemi raporte të mira me Kosovën në të gjitha nivelet.

Për këtë arsye, dy ndeshjet do të jenë edhe një lloj feste, përkundër rëndësisë së tyre sportive”, u shpreh kreu i futbollit zviceran për mediumin e atjeshëm, “Blick”.

Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri do të zbarkojnë në Kosovë sivjet për një ndeshje të veçantë dhe të paharrueshme për ta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat