Adebayor befason

Futboll

Adebayor befason

Më: 21 mars 2023 Në ora: 12:10
Emmanuel Adebayor

Emmanuel Adebayor ka njoftuar tërheqjen e tij nga futbolli, duke i dhënë fund karrierës 22-vjeçare.

Ish-sulmuesi 39-vjeçar i Arsenalit, Manchester City dhe Real Madridit e përfundoi karrierën e tij në klubin togolez, AC Semmasi, me të cilin luante që nga korriku i vitit 2021.

Njoftimin e ka bërë vetë futbollisti me një video në profilin e tij në Instagram: “Nga nivelet më të larta tek ato më të ulëtat, karriera ime si sportist profesionist ka qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm.

Faleminderit fansave të mi që ishin aty, në çdo hap të këtij rrugëtimi.

Ndihem shumë mirënjohës për gjithçka dhe i emocionuar për atë që do të vijë”.

Adebayor e filloi karrierën e tij me klubin togolez Merlan Lome; përpara se të transferohej në Evropë më 1999, në moshën 15-vjeçare, dhe të fillonte udhëtimin e gjatë nga akademia e të rinjve të Metz.

Pas kalimit në ekipin e parë e vuri re Monaco, me të cilën shënoi 7 gola në 17 ndeshje dhe kontribuoi në ecjen e jashtëzakonshme në Champions League, deri në finalen e humbur ndaj Portos.

Disa skuadra të Premier League i kishin sytë tek ai dhe më 13 janar 2006 u transferua tek Arsenali për 4 milionë paund.

Pas “Gunners” u transferua te Manchester City dhe rrugëtimi i tij vazhdoi në Spanjë. Ai iu bashkua Real Madridit në formë huazimi, ku do të fitonte trofeun e tij të vetëm (“Copa del Rey”).

Ish-qendërsulmuesi togolez u kthye në Angli, ku luajti për Tottenham dhe Crystal Palace, përpara se të transferohej në Turqi. Pasi luajti për Stambollin Basaksehir dhe Kayserispor, ai ndryshoi përsëri shtet dhe fluturoi në Paraguaj. Në Amerikën Latine veshi fanellën e Olimpia Asuncion, por luajti vetëm 8 ndeshje dhe u kthye në Togo në mes të pandemisë COVID-19. Ai e përfundoi karrierën e tij në Togo me AC Semmasi.

Adebayor shënoi 207 gola në 593 ndeshje të karrierës, përfshirë 97 gola në 242 ndeshje në Premier League. Ai është gjithashtu golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i Togos me 26 gola në 65 ndeshje dhe është vlerësuar pesë herë si “Futbollisti i Vitit” i vendit të tij. Në vitin 2008 fitoi çmimin “Futbollisti Afrikan i Vitit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat