Iliadhi e Kodra tregojnë objektivat

Futboll

Iliadhi e Kodra tregojnë objektivat

Më: 2 prill 2023 Në ora: 22:19
Kombëtarja shqiptare

Kombëtarja shqiptare U-19 për vajza është grumbulluar prej 29 marsit në Durrës, duke u përgatitur për ndeshjet e raundit të dytë të Kampionatit Europian 2023 që do të zhvillohen në vendin tonë në datat 5-11 prill.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Kreshnik Krepi është shortuar në grupin B7 me dy rivale shumë të vështira, Skocinë dhe Lihtenshtejnin.

Stafi teknik i ekipit kombëtar U-19 për vajza ka thirrur në këtë grumbullim 20 futbolliste, ku pjesa më e madhe aktivizohen në kampionatin vendas.

Dy prej tyre, Agli Iliadhi dhe Arlinda janë prononcuar për Fshf.org, ku kanë folur për grumbullimin dhe si po shkojnë përgatitjet në kuadër të turneut zyrtar.

Iliadhi, e cila mban edhe shiritin e kapitenes u shpreh se objektivi i vajzave është të marrin rezultate sa më pozitive kundër Skocisë e Lihtenshtejnit, ndërsa vlerësoi edhe angazhimin e vajzave të reja që janë bërë pjesë e skuadrës. “Grupi është pothuajse i ri.

Jemi shumë pak vajza që kemi mbetur nga grumbullimet e kaluara, sepse kanë ardhur edhe vajza të reja, të cilat i njohim sepse kanë luajtur edhe me kombëtaren U-17. Jemi në ditën e pestë të grumbullimit, çdo gjë ka shkuar shumë mirë.

Edhe profesori është shumë i kënaqur me ne. Nga vajzat e reja të cilat i janë bashkuar ekipit presim më shumë, që të na ndihmojnë me ekipin, por që jemi goxha mirë” – e cila premtoi se skuadra do të japë maksimumin në të dyja takimet dhe se nuk do të nënvlerësojë as Skocinë dhe as Lihtenshtejnin.

“Kemi dy ndeshje shumë të forta, por me grupin që kemi, mendoj se do marrim rezultate shumë të mira.

Nuk do t’i nënvlerësojmë në asnjë mënyrë, do japim maksimumin në çdo ndeshje. Dhe shpresoj shumë që të marrim rezultat të mirë” – tha Agli Iliadhi.

Ndërkaq, edhe sulmuesja Arlinda Kodra pohoi për fshf.org se atmosfera në grupin kuqezi është shumë e mirë, ndërsa tha se vajzat kuqezi nuk i druhen asnjë ekipi dhe do të futen në fushë për të marrë rezultate pozitive. “Atmosfera në grup është shumë e mirë. Po përgatitemi fort për këto dy ndeshje dhe të marrim rezultate të mira për t’u ngjitur në Ligën A. Ne në fushë hyjmë gjithmonë për të marrë rezultat pozitive.

Skocia është një kundërshtar i fortë, por ne do të bëjmë më të mirën dhe do të japim maksimumin tonë që të marrim më të mirën. Ne nuk i druhemi asnjë ekipi, sepse ne luajmë me zemër dhe po të hyjmë në fushë duke pasur frikë, s’do kemi as rezultate pozitive” – tha Arlinda, e cila nuk ngurroi gjithashtu të fshehë kënaqësinë që ka marrë sërish një ftesë për të përfaqësuar ekipin e zemrës së saj, ndërsa tregoi edhe synimet për të ardhmen.

“Jam shumë e lumtur që kam marrë ftesë dhe që do të përfaqësoj ekipin e zemrës time dhe të kualifikohemi në Ligën A. Synimet e mia për të ardhmen janë që të arrij sa më lart, me punë, disiplinë dhe të bëj më të mirën time” – përfundoi Arlinda Kodra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat