UEFA do t’i heq krejt dilemat, Ceferin e paralajmëron ndryshimin e rregullave

Futboll

UEFA do t’i heq krejt dilemat, Ceferin e paralajmëron ndryshimin e rregullave

Më: 3 prill 2023 Në ora: 15:20
Foto ilustrim

Liga e Kampionëve në vitin 2024 ka mundësi të nisë me rregulla të reja.

Këtë e ka paralajmëruar presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin në një intervistë dhënë “Ekipa".

“Do të bëjmë shumë gjëra të mira, duke i përfshirë ato që janë, por do t’ua shtojmë edhe disa të tjera. Jemi të vetëdijshëm që shumë persona e dinë se cilat ekipe do të avancojnë në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve. Por, me ndryshimet që do t’i bëjmë, do të jetë ndryshe. Pjesa e parë e kësaj gare, para ndeshjeve eliminuese, do të bëhet më interesante, më e paqartë dhe shpesh ‘e nxehtë’ deri në fund”, deklaroi numri 1 i futbollit evropian.

Por, çka mendon ai për lojën me dorë?

“Nuk e kuptoj rregullin aktual. Nuk e kuptoj absolutisht. Dhe, diçka duhet të bëhet në këtë drejtim. Në fund të prillit do ta formojmë një grup specialistësh, i cili do të udhëhiqet nga Zvonimir Boban dhe duam që të jenë krejt trajnerët më të mirë dhe ish-futbollistët. Do të jenë emrat e mëdhenj të futbollit botëror. Njëra prej çështjeve kryesore dhe me prioritet do të jetë që të flasim për ndryshimin e rregullave të lojës me dorë. Është vërtetë errësirë dhe guxoj ta them se askush nuk e kupton më. Kemi vërtet nevojë për një bashkëbisedim këtu, që ta gjejmë zgjidhjen dhe t’i sqarojmë disa probleme”, vazhdoi Ceferin.

“Kam bisedur edhe me Gianni Infantinon, president i FIFA-s, javën e kaluar për faktin se duhet të bëjmë diçka bashkë në këtë drejtim. Asgjë nuk e është e qartë më për askënd dhe kjo është mjaft negative për futbollin, sepse në bazë të definicionit, është një sport mjaft i qartë dhe i thjeshtë për masën. Rregulli i lojës me dorë është ‘larguar’ nga të gjithë në periudhën e fundit. Kur bëhet fjalë për pozitë jashtë loje, VAR-i i heq paqartësitë dhe askush nuk ankohet. Por, ajo që ndodh me lojën me dorë është e çuditshme dhe e vështirë për referët për të marrë vendime. Nëse dikush i mëshon topit me krejt forcën nga dy metra në duart tua, çka mund të bësh?”, theksoi tutje Ceferin.

“Jemi duke e bërë një bisedim mjaft serioz për këtë dhe gjithnjë e më shumë po arrijmë në konkludimin që, edhe një herë, askush me të cilin jemi duke folur aktualisht nuk e kupton se çka o ndodh në këtë moment. Disa vite më parë ua kemi demonstruar trajnerëve më të mëdhenj disa situata ku topi e prekte dorën e një lojtari: gjysma e tyre thoshin se ishte një lojë me dorë e ndëshkueshme, e gjysma tjetër thoshin se nuk ishte lojë me dorë. Kështu që, si do të ishte më e qartë për tifozët tanë? Luis Figo më tha se, nëse do të ishte kështu në kohën kur luante ai, do ta kërkonte dorën e kundërshtarit. Ai më tha: ‘Nëse nuk do të dija se çka të bëja me topin, do ta qëlloja dorën e ndonjërit dhe kështu do ta gjuaja një penallti’”, përfundoi Ceferin.

Edhe në mesin e tifozëve ndodh shpesh kur ka paqartësi dhe konfuzion nëse ishte lojë me dorë apo jo, në raste të caktuara.

Por, UEFA e ka ndërmend ta heq përgjithmonë këtë dilemë me rregullat e reja të paralajmëruara nga kreu i saj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat