Konfirmohen tri oferta për Ermal Krasniqin

Futboll

Konfirmohen tri oferta për Ermal Krasniqin

Më: 7 prill 2023 Në ora: 23:42
Ermal Krasniqi

Ermal Krasniqi po vazhdon shkëlqimin në Rumani, teksa për të po vazhdon të rritet edhe interesimi nga klubet e njohura evropiane.

Sulmuesi së fundmi shënoi gol në fitoren 1:0 të Clujit ndaj Arges, duke dërguar kështu skuadrën e tij në gjysmëfinale të Kupës.

Për Krasniqin ishte ky goli i tij i parë në paraqitjen e parë në këtë garë, teksa ai numëron edhe nëntë gola e katër asistime në elitën e futbollit rumun këtë sezon.

Njëri prej donatorëve të klubit, Ioan “Nelutu” Varga, i cili nga mediat rumune dhe jo vetëm, besohet se është pronari i vërtetë i klubit të Clujit, konfirmoi se për Krasniqin ka tashmë tri oferta.

“Për Krasniqin janë 3 oferta.

Ka oferta të qarta, por jo vetëm për të. Janë 7 lojtarë që kanë oferta dhe do të shohim në verë se çfarë do të vendosim”, tha ai për mediumin rumun “ProSport”.

Sipas mediumit rumun, Torino, Fiorentina dhe Mallorca janë klubet që u interesuan më shumë për Krasniqin, përveç Lazios.

Cluj thuhet se do të donte 5 milionë euro për shitjen e 24-vjeçarit dhe duket se Lazio është skuadra që është gati të ofrojë një shumë afër dëshirës së klubit.

Tutje, mediumi rumun shkroi se në ndeshjen ndaj Universitatea Cluj ka qenë i pranishëm edhe Giovanni Becali, kur edhe ka biseduar me Vargan. Ai ka një marrëdhënie të ngushtë me Igli Taren, drejtorin sportiv të Lazios, dhe ky mund të jetë çelësi i marrëveshjes.

Ermal Krasniqi në atë ndeshje kishte shënuar gol, teksa skuadra e tij triumfoi me rezultatin 4:0.

Në anën tjetër, shtypi italian vazhdon të shkruajë për interesimin e Lazios për ish-sulmuesin e Ballkanit.

Klubi nga kryeqyteti italian thuhet se ka në listë edhe Domenico Berardin e Sassuolos dhe Jesper Karlsson e AZ Alkmaar.

Dallimi mes Krasniqit dhe dy lojtarëve të tjerë ka të bëjë me tarifën e transferimit. Berardi ose Karlsson do të mund të blihen vetëm për një çmim 4-5 herë më të lartë se sa ai që Cluji e dëshiron për Krasniqin.

Përcaktuese mund të jetë edhe performanca që Lazio do të arrijë këtë sezon. Kualifikimi për një vend në Ligën e Kampionëve padyshim se do të rrisë buxhetin e transferimeve.

Ndryshe, Ermal Krasniqi me klubin e Clujit ka kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2026.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat