Duka: Vetëm 3-4 për qind e personave merren me sport në Shqipëri!

Futboll

Duka: Vetëm 3-4 për qind e personave merren me sport në Shqipëri!

Më: 18 prill 2023 Në ora: 11:51
Duka

Për Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Dukën, Konferenca Kombëtare “Arritjet dhe Sfidat e Sportit në Shqipëri” duhet të shërbejë jo vetëm për të vënë në dukje çfarë është arrirë, por edhe çfarë ka mbetur ende për t’u bërë për të përmirësuar çdo aspekt të sportit në vendin tonë.

“Kjo konferencë është padiskutim shumë e rëndësishme për sportin dhe njerëzit e tij, jo veç për të bërë paradën e arritjeve, që padiskutim duhen pasqyruar e evidentuar sepse pasqyrimi drejt i arritjeve e sukseseve na ndihmon shumë për edukimin e një shoqërie sportive, por në të njëjtën kohë për të reflektuar ndaj gjërave nuk kemi bërë mirë apo s’kemi pasur ritmin e duhur.”-u shpreh kreu i FSHF-së në fjalën e mbajtur në këtë konferencë.

Më tej referuar “EuroBarometrit” uke theksoi se shifrat e personave që merren me sport në vendin tonë janë shumë të ulëta.

“Sot që flasim, sipas të dhënave të EuroBarometrit, në Bashkimin Europian mesatarja europiane e njerëzve që merren me sport është 40%.

Në Shqipëri vetëm 3-4% e popullsisë ushtron sport. Janë Shifra alarmante qe kërkojnë ndërhyrje dhe veprime konkrete.”-vijoi Presidenti.

"Fort të nderuar të ftuar e personalitete që jeni sot në këtë sallë,

Më lejoni fillimisht të falënderoj organizatorët e kësaj konference, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit e veçanërisht Ministren Evis Kushi.

Kjo konferencë është padiskutim shumë e rëndësishme për sportin dhe njerëzit e tij, jo vec për të bërë paradën e arritjeve, që padiskutim duhen pasqyruar e evidentuar sepse pasqyrimi drejt i arritjeve e sukseseve na ndihmon shumë për edukimin e një shoqërie sportive, por në të njëjtën kohë për të reflektuar ndaj gjërave nuk kemi bërë mirë apo s’kemi pasur ritmin e duhur.

Sporti shqiptar përballet sot me shumë sfida, ku në majë qëndron synimi për krijimin e kultures sportive. Ne jemi një shoqëri jo sportive. Këtu nuk jam duke folur për sportin profesionist, por për atë amator, për një lëvizje sportive që mungon. Sot që flasim, sipas të dhënave të EuroBarometrit, në Bashkimin Europian mesatarja europiane e njerëzve që merren me sport është 40%. Në Shqipëri vetëm 3-4% e popullsisë ushtron sport. Jane Shifra alarmante qe kerkojne nderhyrje dhe veprime konkrete.

Në anën tjetër nuk mund të mohoj se dekadën e fundit ka patur ndryshime pozitive. Do ti ndaja këto vite të gjata të tranzicionit në dy periudha:

1-Vitet 90-të ku ne shkatërruam çdo ambient sportiv, fusha futbolli, pallate sporti e palestra që kishim trashëguar nga sistemi që lamë pas. Dhe jo vetëm kaq. Ne nuk dinim se kush do të bënte çfarë, një lloj kaosi total dhe pa asnjë diskutim një periudhë e errët për sportin.

2-Dhe vitet 2000 në të cilat filloi të institucionalizohen gjërat, filloi një organizim më i mirë në të gjitha nivelet, pati ndryshime dhe ndërhyrje në infrastrukturë e ndonjë rezultat sporadik që vinte herë pas here.

E gjatë këtij tranzicioni, edhe Futbolli si sporti më i dashur i shqiptarëve, ka pasur pa asnjë dyshim zhvillime pozitive në të gjitha drejtimet.

Duke filluar nga ai organizativ. Sot klubet e futbollit që garojnë në garat e zhvilluara nga Federata e Futbollit kanë struktura menaxheriale, drejtuese dhe sportive më të kualifikuara. Kanë forma juridike e tregtare shumë qartë të përcaktuara dhe janë pjesë e një organizate e cila ka një Kushtetutë të sajën të miratuar e vlerësuar nga autoritetet vendase dhe ato ndërkombëtare.

Kompeticionet e organizuara nga FSHF janë gjithashtu një histori e jashtëzakonshme transformimi. Shumë pak vite më parë, organizohej vetëm një kampionat kombëtar për meshkuj me 16 skuadra dhe një Kategori e Dytë me sistem grumbullimi pikësh.

Sot që flasim, organizohen 23 gara kombëtare për djem, 3 gara kombëtare për vajza, kampionate Rajonale për djem e vajza si dhe kompeticione kombëtare për futbollin amator 5×5, 6×6 dhe 9×9 ku në total luajnë 22 mijë futbollistë profesionist, gjysmë profesionist dhe amator.

Futbolli i vajzave është gjithashtu një hapësirë e rëndësishme në futbollin tonë, një prioritet i madh i Federatës. Edhe pse ka pak më shumë se një dekadë që ka nisur, numeron 2 mijë vajza që luajnë futboll në të gjithë vendin dhe falë projekteve e nismave që kemi ndërmarrë synojmë dyfishimin brenda dy viteve të ardhshme.

Çdo fundjavë 1140 ekipe futbolli djemsh dhe vajzash të të gjitha niveleve luajnë futboll në gjithë territorin e vendit. Mbi 650 zyrtarë janë të angazhuar në mbarëvajtjen e ndeshjeve të futbollit. Mbi 100 mijë njerëz të përfshirë direkt krijojnë një ekonomi futbolli, që konsumon dhe kontribuon në ekonominë shqiptare.

Edukimi është një tjetër shtyllë e rëndësishme në rritjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të futbollit. Falë politikave tona por edhe zhvillimit të profesioneve të reja, ne sot edukojmë, kualifikojmë dhe certifikojmë me diploma të vlefshme për të gjithë botën trajnerë, përgatitës", thotë Duka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat