Neymar, në stadium për të parë Santosin

Futboll

Neymar, në stadium për të parë Santosin

Më: 21 prill 2023 Në ora: 12:06
Neymar

Neymar aktualisht ndodhet në Brazil, ku po rikuperohet nga dëmtimi i kyçit të këmbës. Ai shfrytëzoi rastin për të ndjekur ndeshjen e “Copa Sudamericana” që përfundoi 0-0 midis Santos dhe Audax Italiano.

Sulmuesi i PSG-së veshi një fanellë të ish-skuadrës së tij me 7-shin mbi supe dhe foli për “Globo Esporte” si vijon: “Një ditë do të kthehem. Do të kthehem së shpejti. Ndihem si në shtëpinë time këtu, është shumë bukur të kthehem pas 10 vitesh. Për fat të keq ndeshja doli barazim, doja që Santos të fitonte.

Erdha këtu për ta mbështetur ish-skuadrën time dhe për të marrë dashurinë e tifozëve. Ky klub më ka dhënë gjithçka, më ka hapur dyert si familja ime, më ka bërë të njohur në mbarë botën”.

Neymar është në kërkim të qetësisë shpirtërore në vendin e tij për të kapërcyer dëmtimin që pësoi më 19 shkurt në ndeshjen kundër Lille. Lojtari i PSG-së, sipas “Le Parisien” dhe RMC, ndodhet në Brazil që prej 30 marsit, ku po rikuperohet nga ndrydhja e këmbës së djathtë me lëndime të ligamenteve.

Një dëmtim që e detyroi të operohej më 10 mars në Katar. Operacioni u krye në klinikën ASPETR në Doha dhe u krye nga tre mjekë, njëri prej tyre Rodrigo Lasmar, pjesë e kombëtares braziliane, sipas deklaratës së publikuar nga PSG në atë kohë.

Neymar shoqërohet në Brazil nga Rafael Martini dhe Ricardo Rosa, përkatësisht fizioterapist dhe përgatitës fizik i PSG-së, të cilët janë me lojtarin për të vlerësuar se si po ecën rikuperimi i tij.

Data e kthimit të tij në Paris për të nisur fazën tjetër të trajtimit nuk është vendosur ende plotësisht, por sipas informacioneve nga mediat franceze, braziliani do të rikthehej në fund të këtij muaji prill.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat