Përsëri derbi

Futboll

Përsëri derbi

Më: 21 prill 2023 Në ora: 19:24
Pamje nga një ndeshje

Ish-trajneri historik i Milanit, Arrigo Saki, ka komentuar në “La Gazzetta dello Sport” barazimin ndaj Napolit, që i dha Milanit gjysmëfinalet e Ligës së Europës, por në analizën e tij nuk ka lënë jashtë edhe Interin, që ndryshe nga kampionati, në Europë po tregohet një ekip i papërmbajtshëm.

“Në “Maradona” pashë një gol të cilin e kisha përjetuar dikur.

Sikur të mos mjaftonte, edhe Adriano Galiani më telefonoi duke më kujtuar se Leao dhe Zhiru kishin bërë një aksion të ngjashëm me atë të Gulitit dhe Van Vastenit.

I thashë se Milani im në atë kohë kishte bërë një ndeshje sulmuese që e kishte detyruar Napolin të mbrohej në thellësi të zonës së vet.

Kuqezinjtë të martën u mbrojtën shumë e ishin të përsosur në këtë aspekt, por goli ishte thuajse identik.

Duke lënë mënjanë rastësitë që futbolli dhuron, mund të them se pashë ritëm dhe shpejtësi Champions-i, ndaj mund të them se Milani dhe Napoli luajtën një pjesë të parë cilësore dhe ky është aspekti i parë që duhet theksuar. Në fillim ishte evident dominimi i skuadrës së Spaletit, që krijoi disa mundësi, por ndryshe nga zakonisht i mungoi saktësia përpara porte.

Përvoja, në të tilla raste, të jep qetësinë për të bërë zgjedhjen e duhur. Nga ana tjetër, kuqezinjtë u treguan cinikë. Mund të kishin kaluar në avantazh shumë më herët nëse Meret nuk do të kishte bërë dy mrekulli, por goli i Zhirusë tregon se sa shumë e kërkoi Milani atë gol.

Rëndësia e një rrjete në këto ndeshje, e sidomos në fund të pjesës së parë, ndikon shumë në psikologjinë e skuadrave. Ajo që pëson bëhet nervoze, sepse kupton që duhet të bëjë edhe më shumë për të marrë rezultatin e dëshiruar, ndërkohë që shënuesit përfitojnë më shumë qetësi pasi bëhen të vetëdijshëm për distancën nga rivali.

Dy aspekte të kundërta, që sollën në fushë një Napoli nervoz, e një Milani që administroi shumë mirë individualitetet kundërshtare.

Mjafton të shikoni se me çfarë saktësie e përkushtimi dyfishoheshin markimet për Kvaratskhelian dhe Osimhenin. Në ndeshjen e Interit, pashë një mision më të lehtë, pasi avantazhi i dyfishtë i maturuar nga Portugali i lehtësoi djemtë e Inzagit.

Goli i Barelës dha më shumë qetësi dhe rezultati është gënjeshtar, sepse zikaltrit dominuan e barazimi erdhi në momentet e fundit, kur ata ishin qetësuar për arritjen e objektivit. Derbi është plot tension, e aq më tepër kur bëhet fjalë për Champions-in.

Aspekti nervor do të jetë shumë i rëndësishëm, ndaj pres që në nivel përkushtimi, skuadrat të na dhurojnë një përballje epike”, shkruante Saki në komentin e tij të publikuar në faqet e së përditshmes italiane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat