Manchester Utd nuk kursehet

Futboll

Manchester Utd nuk kursehet

Më: 25 prill 2023 Në ora: 13:29
Manchester Utd

Drejtuesit e Manchester United janë të vendosur që sezonin pasardhës t’i dhurojnë trajnerit Erik ten Hag një sulmues të mirëfilltë.

Aktualisht në organikën e “Djajve të Kuq” në rolin e qendërsulmuesit janë Wout Weghorst dhe Antony Martial, por asnjë prej të dyve nuk është në lartësinë e duhur për të rikthyer skuadrën në luftë për objektivat madhorë që synohen sezonin tjetër.

Prej kohësh ai që synohet është Harry Kane. Me Spurs-at që duken në vështirësi për të siguruar një vend në Champions Leaguen e sezonit të ardhshëm, merkatoja e kësaj vere mund të jetë momenti i duhur për të “sulmuar”.

Lojtari i kombëtares britanike është në vitin e fundit të kontratës me Tottenham dhe deri më tani nuk ka shenja në lidhje me rinovimin e saj.

Megjithatë, për ta bërë të tyrin 29-vjeçarin, drejtuesit e United duhet të “shkundin xhepat” pasi presidenti i Tottenham, Daniel Levy nuk pranon negociata nën shifrën e 100 milionë paund.

Gjithsesi, në Manchester duket se janë të vendosur dhe madje janë gati t’i ofrojnë edhe vetë Kane një pagë që kap shifrën e 300.000 paundëve në javë.

Në rast se gjithçka mbyllet me sukses, atëherë Kane do të shndërrohej në lojtarin më të paguar të Djajve të Kuq, edhe pse pothuajse në të njëjtën kuotë do të “rrotullohet” edhe paga e Marcus Rashford që do të rinovojë kontratën në fundin e sezonit. Gjithsesi, për të pasur një dyshe ëndrrash si ajo Kane-Rashford te United mund ta bëjnë një sforco.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat