FSHF i jep titullin “Legjendë e futbollit shqiptar”!

Futboll

FSHF i jep titullin “Legjendë e futbollit shqiptar”!

Më: 29 prill 2023 Në ora: 14:30
Hysen Zmijani e Sulejman Demollari

60 vite më parë, më 29 prill 1963, lindi një nga ikonat e futbollist shqiptar, mbrojtësi i njohur Hysen Zmijani.

Një ditë më parë, të premten, në nder të përvjetorit të tij të lindjes, u organizua në qytetin e Shkodrës një aktivitet në nder të mbrojtësit të krahut të djathtë që la gjurmë me Kombëtaren kuqezi dhe me Vllazninë.

Në aktivitetin e organizuar FSHF përfaqësohej me Sulejman Demollarin, shok skuadre me Zmijanin në Kombëtare.

Veç urimeve të shumta dhe një dhurate simbolike, fanella e Shqipërisë me numrin e viteve që mban mbi shpinë Hysen Zmijani, iu akordua edhe çmimi “Legjendë e futbollit shqiptar”. Hysa, siç e thërrasin më së shumti, e ka merituar këtë me atë që ka bërë në fushën blertë, ku u shpall kampion dhe fitoi Kupën e Shqipërisë me Vllazninë.

Zmijani ishte pjesë e kombëtares së Shqipërisë për 11 vite (1984-1995), duke u aktivizuar në 36 ndeshje. Golat me fanellën kuqezi i kishte të paktë, dy, por ai me Gjermaninë në “Qemal Stafa” me goditje dënimi vështirë se harrohet nga tifozët.

Mbrojtësi i djathtë e shkruajti emrin e tij në librat e historisë që në moshë të re, pasi në vitin 1983 me Shqipërinë U21 ia doli të kualifikohej për herë të parë në finalet e një kampionati Europian në këtë grupmoshë, duke shkuar deri në fazën çerekfinale, ku u eliminuam nga Italia e emrave të mëdhenj si Viali e Mançini.

Zmijani provoi të luante edhe në Francë (GFC Ajaccio), Gjermani (St Pauli) dhe Arabi Saudite (Al Nassr). Me këta të fundit ai doli edhe kampion dy herë (93’-94, 94’95’), ndërkohë që e përfundoi karrierën si futbollist në vitin 1997 tek Al Nassri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat