La Liga nën këmbët e Xavit

Futboll

La Liga nën këmbët e Xavit

Më: 7 maj 2023 Në ora: 11:06
Xavi

Xavi Hernandez po përfundon një sezon në La Liga thuajse perfekt, teksa deri më tani Barcelona e tij ka grumbulluar 82 pikë në 32 javë kampionat. Kjo e ka vendosur Barçën në pozita komode në krye të kampionatit spanjoll, duke kryesuar me 13 pikë më shumë se Atletikoja e vendit të dytë dhe 14 pikë më shumë se Reali i Madridit i vendit të tretë.

Tashmë titulli është çështje kohe dhe sipas llogarive të Barçës ai mund të vijë të dielën e 14 majit në derbi përballë Espanjolit. Mbështetur nga disa shifra mbresëlënëse në mbrojtje, (11 gola të pësuar dhe 25 takime pa pësuar gol), klubi “blaugrana” është i vendosur në rrugën e tij për të arritur titullin e 27-të në La Liga. Kjo epërsi në kampionatin vendës nuk është reflektuar vetëm gjatë këtij sezoni.

Që nga ardhja e Ksavit, në fillim të nëntorit 2021, Barcelona ka qenë skuadra që ka grumbulluar më shumë pikë, me një diferencë të theksuar në krahasim me pjesën tjetër të ekipeve në garë. Ksavi zbarkoi në Barcelonë me skuadrën praktikisht të shpartalluar, 11 pikë prapa liderit të atëhershëm, Sociedadit, dhe duke zënë vendin e nëntë në tabelë.

Por falë punës së tij, Ksavi arriti t’i ngjiste duke i kualifikuar në Champions League dhe ta mbyllte kampionatin në vendin e dytë pas Realit.

Shifrat e Barcelonës së Ksavit janë kokëforta: asnjë ekip nuk ka grumbulluar më shumë pikë në La Liga sesa Barcelona e Ksavit. Që kur mori drejtimin e anijes “blaugrana”, ai ka grumbulluar gjithsej 138 pikë (43 fitore, 9 barazime dhe 7 humbje), 11 pikë më shumë se Reali i Madridit, i cili është i dyti me 127 pikë.

Krahasimi me pjesën tjetër të skuadrave është i frikshëm: 21 pikë më shumë se Atletikoja e Simeones, 26 më shumë se Sevilja, 42 më shumë se Betisi dhe 43 më shumë se Sociedadi.

Nga pjesa tjetër e skuadrave është më mirë të mos bëjmë krahasime, sepse të gjitha shkojnë mbi 50 pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat