Pioli: Sezoni nuk mbyllet me derbin

Futboll

Pioli: Sezoni nuk mbyllet me derbin

Më: 19 maj 2023 Në ora: 18:34
Pioli

Milani synon një biletë për në Championsin e sezonit të ardhshëm, pasi mori një goditje këtë mesjavë duke u eliminuar nga Interi në gjysmëfinale.

Trajneri Stefano Pioli ka folur në konferencë për shtyp, duke u shprehur se lojtarët nuk duhet të gabojnë më, duke filluar ndaj Sampdorias.

“Pësuam një zhgënjim të fortë.

Tani jemi të përgatitur për të bërë mirë nesër.

Jemi prapa në kampionat, fokusi është te ndeshja e nesërme. E vetmja gjë që duhet të bëjmë është të fitojmë kundër Sampdorias.

Ne jemi prapa në Serie A në krahasim me vendin ku duam të jemi, kemi nevojë për përqendrim. Vetëkuptohet që duam t’i fitojmë të tria ndeshjet e mbetura. Nesër është e para dhe kemi mundësinë të tregojmë se çfarë mund të bëjmë. Fatmirësisht sezoni nuk mbaroi pas derbit.

Të luajmë menjëherë është fat, zhgënjimi ishte i fortë sepse shpresonim të shkonim në finale. Ka dekurajim dhe zhgënjim, na u desh kohë për t’u rikuperuar, por duhet të reagojmë si një ekip i madh. Rikthimi në Champions League është qëllimi, është me të vërtetë shumë e rëndësishme për ne.

Në fund të sezonit do të nxjerr disa përfundime, është e qartë se kemi pasur vështirësi me ndeshjet kundër atyre në anën e poshtme të klasifikimit. Nuk finalizuam shumë, ndoshta për shkak të gabimeve teknike apo zgjedhjeve. Kur mbrojtjet janë të mbyllura dhe të ngjeshura, çdo gjë mund ta përcaktojë rezultatin. Ne kemi dhënë më të mirën, por edhe kemi gabuar në disa situata.

Në këto tri vite kemi arritur rezultate të mëdha. Pritshmëritë janë të mëdha, besoj shumë te lojtarët e mi. Jam trajner i një klubi të nivelit të lartë dhe e di se duhet të garantoj rezultate e futboll të mirë. Ka kritika, është normale. Bilanci duhet bërë mbas tri ndeshjeve të fundit në Serie A, sepse mund të jetë një sezon me nota të larta ose zhgënjim.

Thirrja për ekipin? Të luajmë për Milanin, me vendosmërinë dhe shpirtin që na kanë dalluar gjithmonë. Tani duhet vendosmëri për ta përfunduar sa më mirë kampionatin”, deklaroi Pioli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat