FC 2 Korriku kampion i Kosovës në U13 dhe U15, Roni19 fitues i garave të “Play-Off”-it në U17 

Futboll

FC 2 Korriku kampion i Kosovës në U13 dhe U15, Roni19 fitues i garave të “Play-Off”-it në U17 

Më: 3 qershor 2023 Në ora: 20:12
FC 2 Korriku

Sot janë përmbyllur garat e “Play-Off-it Nacional”, të cilat përgjatë dy javëve u zhvilluan në Kampin Edukativ Nacional në Hajvali, në organizim të FFK-së.

Në këtë aktivitet morën pjesë kampionët dhe nënkampionët e 7 ligave të Lidhjeve Rajonale të Futbollit për grupmoshat 13-vjeç, 15-vjeç dhe 17-vjeç.

Sivjet garat e “Play-Off-it Nacional” u dominuan nga klubet e regjionit të Prishtinës, pasi në të tri kategoritë finalet u zhvilluan ndërmjet ekipeve të këtij regjioni.

FC 2 Korriku fitoi titullin e kampionit të Kosovës në dy grupmosha U13 dhe U15. Në grupmoshën deri 13-vjeç, 2 Korriku në finale e mundi KF Ramiz Sadikun, me rezultat bindës 3:0. Dy gola i shënoi Eron Karaqica (22’, 60’), derisa me një gol kontribuoi Amar Dubova (46’).

Edhe në finalen U15 u përballën KF Ramiz Sadiku dhe FC 2 Korriku, por këtu rivaliteti ishte më i madh, pasi fituesin e vendosi një gol. Ishte Bebart Selmani, i cili realizoi golin e vetëm të kësaj ndeshje, në minutën e 32-të, që i mjaftoi 2 Korrikut për t’iu gëzuar titullit të kampionit edhe në këtë grupmoshë.

Ndërkaq, në finalen e grupmoshës U17, Roni 19 shënoi fitore bindëse ndaj Feronikelit 74, me rezultat 3:0.

Dy gola për skuadrën e Ronit 19 i shënoi Ismail Musliu (36’, 38’), derisa paraprakisht rezultatin e zhbllokoi Idol Jashari (7’). Kësisoj, Roni 19 fitoi trofeun e ‘Play-Off-it Nacional’ të kësaj grupmoshe, kurse bashkë me Feronikelin 74 dhe me Vushtrrinë e siguruan promovimin në Superligën e U17. Vushtrria këtë sukses e arriti pasi në ndeshjen për vendin e tretë e mposhti Malishevën.

Ndeshjet e këtij “Play-Off”-i sollën futboll mjaft cilësor dhe u ndoqën me entuziazëm nga një numër i madh i tifozëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat