Kroati Panadiç flet për FC Ferizajn, Superligën e Kosovës dhe Kombëtarën e Kosovës

Futboll

Kroati Panadiç flet për FC Ferizajn, Superligën e Kosovës dhe Kombëtarën e Kosovës

Më: 8 qershor 2023 Në ora: 11:02
Andrej Panadiç

Trajneri i njohur kroat nga Zagrebi, Andrej Panadiç, ka folur për FC Ferizajn, Ligën e Kosovës, Kombëtarën e Kosovës

Ai ka shprehur pikëpamjet e tija.

Erdhët në FC Ferizaj për ta shpëtuar nga rënia prej Superligës, por nuk ia dolët. Pse?

"Erdha në Kosovë në fund të muajit të dhjetë të vitit të kaluar.

Isha i ftuar që të ndihmoj klubin, i cili ndodhej në një situatë të vështirë, duke pasur parasysh se ishin të fundit në tabelë, minus 6 pikë.

Qëllimi ishte të përpiqemi të mbesim në Superligë.

Fillimi ishte i vështirë, pasi udhëhoqa ekipin pas dy-tre stërvitjeve dhe pas dy-tre ditësh erdhi ndeshja e ardhshme. Kështu që nuk ishte e thjeshtë, ndërsa duhej të njoftohem me lojtarët, stilin e jetës, kulturën…

Nuk ishte e thjeshtë që të fillojmë menjëherë dhe të shkojë siç është më së miri.

Duhet ta kuptoja mënyrën se si funksion futbolli në Kosovë, prandaj mu deshë një periudhë, e cila erdhi pas pjesës së parë të kampionatit, ku së bashku i zhvilluam përgatitjet në Dojran të Maqedonisë. Atje pata një pasqyrë më të mirë të lojtarëve, disa që nuk na nevojiteshin të shkojnë, ndërsa disa që na duheshin të vijnë.

Bëmë një ‘roster’ solid, që për mua në atë moment ishte  mjaftë tërheqës dhe kam pasur optimizëm të madh kur i përfunduam përgatitjet. I zhvilluam rreth 10 ndeshje miqësore dhe lojtarët e pranuan mirë sistemin e ri, 3-5-2 që na konventonte për lojtarët që i kishim në ‘rosterin’ tonë", thotë Panadiç për mediumin nga Maqedonia e Veriut "Open.tv".

"Askush nga ne nuk ka pritur se do të mbesim në ligë, sepse dallimi në pikë ishte shumë i madh, megjithate nga minus 6 pikë erdhëm në plus 23, që askush se kishte pritur.

Kemi fituar ndeshje që askush se mendonte se do të fitojmë, disa normalisht edhe i kemi humbur, pasi presioni në lojtarë ishte tejet i madh.

Erdhëm aty ku askush se kishte pritur, pasi praktikisht të gjithë na kishin llogaritur të fundosur, megjithate ne ia kemi prishur llogaritë klubeve të tjera dhe askush s’ka besuar se Ferizaji do të jetë për mbijetesë.

Megjithate, e vetmja ndeshje që ka vendosur nëse do të mbesim në Ligë  ishte kundër Lirisë së Prizrenit, të cilën ndoshta e kemi luajtur më së dobti prej që jam unë këtu.

Kur tani ndalem dhe mendoj se presioni që ishte në lojtarët, që ishin të rinj, ishte tepër i lartë dhe mendose se u dogjën nga dëshira për të treguar atë që dinë më së miri. Për fat të keq nuk ia arritën, në penallti humbëm, mirëpo potenciali i klubit është i madh.

Njerëzit janë munduar të bëjnë hapin e duhur, që mendonin se nuk është i mundur, dhe ishim shumë afër saqë të gjithë jemi të pikëlluar, sepse na mungoi një milimetër që na ndante nga mbetja në Ligë dhe ndeshjen e fundit nuk luajtëm si duhet, ashtu siç kemi luajtur gjatë gjithë gjysmësezonit-në nivel të lartë.

Ishin 6-7 lojtarë nën 21 vjeç në atë ndeshje finale dhe presioni e bëri të vetën, nuk e arritëm atë që të gjithë e shpresonim-të mbesim në ligë", tha trajneri kroat.

Cilat janë tani planet tua në të ardhmen?

Andrej Panadiç: Unë kam pasur kontratë deri në fund të këtij sezoni. Situata që ndodhi në fund pak na ka luhatur. Ishim shumë optimist pasi bëmë një sezon të shkëlqyeshme, por nuk arritëm të mbesim në ligë. Në këtë moment nuk kam kurrfarë planesh, pasi pak jam edhe i pikëlluar, pak i zhgënjyer, sepse një ndeshje vendosi nëse do të mbesim ose jo në Ligë.

Mendoj se tani në këtë moment do të marrë pushim të mirë, dy javë, ku do të mendoj me kokën time dhe besoj se së shpejti do të kthehem me punë.

Nuk e di se ku.

Njerëzit në klub ishin fantastik, ende nuk është vendosur asgjë, as nga ana e tyre dhe as nga ana ime. Gjithçka është e hapur. Ashtu siç ju duhet atyre pushim, edhe mua më duhet. Ka mjaftë kohë të vendoset se çka më tutje.

Si ju ka dukur Superliga e Kosovës. A mund të bëni një krahasim me Ligat tjera në Ballkan?
Andrej Panadiç: 
Liga e Kosovës posedon gjëra të pabesueshme, e ata janë talenti i lartë, talenti i lojtarëve individual që luajnë në Kosovë. Nuk po flasim për punën, kualitetin dhe profesionalizmin, pasi aty ekzistojnë rezerve të mëdha, para se gjithash në profesionalizmin e lojtarëve që atje punojnë.

Kur ke ndonjë talent të tillë, që shihet, sepse gjatë këtyre tetë muajve kam parë mjaftë lojtarë cilësorë në ligë. vetë Liga si ligë është e shkëlqyeshme, sepse shikoni ju lutem Ballkanin dhe Drita në vitet e fundit bënë një hap të shkëlqyeshëm për Ligën e Kosovës, pasi kanë luajtur disa ndeshje cilësore ndërkombëtare, madje Ballkani hyri në grupet e Ligës së Konferencës, që është një sukses i shkëlqyeshëm për futbollin kosovar.

Unë nuk kam punuar as në Ligën e Shqipërisë, e as në të Maqedonisë, por sipas meje më duket se janë të barabarta.

Disa klube të Ligës së parë të Kosovës pa problem mund të luajnë në Ligën e parë të Kroacisë.

Dmth tre-katër klube mund të luajnë, ndoshta nuk do të ishin në krye, por sigurisht do të luanin në Ligën e parë kroate.

Si ju duket Kombëtarja e Kosovës. A mund të kualifikohet në Euro2024?

Andrej Panadiç: Sa i përket reprezentacionit të Kosovës më duhet patjeter të bëj një ndarje. Dmth ekziston kualiteti individual i lojtarëve që luajnë në reprezentacionin e Kosovës, siç është Muriqi, i cili luan në Spanjë, Rrahmani, i cili e fitoi kampionatin në Itali, pastaj të përmendim edhe Rashicën, që me Galatasarayin e fitoi kampionatin.

Praktikisht keni reprezentacionin mjaftë të fortë nën udhëheqjen e një ish-lojtari të madh Alan Zhires. Ekziston mundësia që një ekip e tillë, nëse i kryejnë ndeshjet mirë deri në fund, kualifikueset, të përfundojnë në kampionatin europian në Gjermani, që nuk do të ishte kurrfarë befasie, sepse janë paraqitur mjaftë reprezentacione që kanë bërë hapa të mëdhenj. Kështu që mendoj se Kosova mund të bëj atë hap, madje edhe në vet Kosovën kur do të përmirësohej infrastruktura do të ishte shumë më mirë. Unë i uroj shumë fat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat