Topalli e Krasniqi të lumtur me ftesën dhe optimistë për rezultate pozitive 

Futboll

Topalli e Krasniqi të lumtur me ftesën dhe optimistë për rezultate pozitive 

Më: 11 qershor 2023 Në ora: 15:33
Pamje nga stërvitja

Kombëtarja dardane ka mbajtur sot paradite stërvitjen e radhës në Kampin Nacional në Hajvali nën reshjet e shiut, të cilat kanë sjellur freski tek lojtarët.

Përzgjedhësi Alain Giresse ka pasur në dispozicion të gjithë futbollistët, teksa së bashku me stafin e tij krahas ushtrimeve të zakonshme fizike dhe atyre me top, ka punuar në tranzicion të ekipit nga faza e mbrojtjes në atë të sulmit dhe anasjelltas.

Përkushtimi i Dardanëve në stërvitje është maksimal, derisa dëshira që në dy ndeshjet e radhës të marrin rezultat pozitiv është e madhe, të vetëdijshëm për faktin se vetëm në këtë mënyrë mbesin në garë për kualifikim në Euro 2024.

Dy të grumbulluarit për herë të parë në Kombëtare për ndeshje zyrtare, Jetmir Topalli dhe Ermal Krasniqi janë shprehur të lumtur që janë pjesë e grumbullimit për dy përballjet shumë të rëndësishme kundër Rumanisë dhe Bjellorusisë.

“Më të vërtetë është ndjenjë e mirë të jem këtu dhe i falënderoj për ftesën përzgjedhësin dhe Federatën, e gjithashtu i falënderoj lojtarët për pritjen shumë të mirë.

Ndihem sikur të isha për kohë të gjatë pjesë e Kombëtares.

Jemi si familje dhe jam shumë i lumtur dhe shpresoj ta ndihmoj ekipin në mënyrën më të mirë të mundshme.

Gjendja e ekipit është e mirë, jemi duke u përgatitur maksimalisht me ritëm të ngadaltë, por në mënyrën më të mirë të mundshme dhe shpresoj që në ndeshjen ndaj Rumanisë ta bëjmë atë që dimë më së miri. 

Objektivat tona tashmë dihen dhe do të futemi në lojë me objektiv të qartë për të fituar si në ndeshjen ndaj Rumanisë ashtu edhe ndaj Bjellorusisë. Kështu që të gjithë lojtarët jemi të vetëdijshëm se duhet të futemi për ta fituar ndeshjen dhe do ta bëjmë maksimumin për ta arritur një gjë të tillë.

Pres nga ‘Dardanët’ të jenë në numër sa më të madh në stadium e të na përkrahin, e ne ta kryejmë punën tonë që t’i bëjmë ata të lumtur”, ka thënë Topalli.

Ndërkaq, Ermal Krasniqi ka thënë se ftesa nga Kombëtarja ka qenë një ndjenjë e veçantë.

Është ëndërr për çdo futbollist të luaj për shtetin e tij.

Përgatitjet po shkojnë mirë dhe lojtarët po duken në formë. Mezi presin ditën e ndeshjes dhe janë të motivuar maksimalisht dhe besoj se do të arrijmë të marrim rezultate pozitive nga këto dy ndeshje. Janë dy ndeshje që duhet t’i fitojmë, sepse është treni i fundit për ne dhe duhet ta japim të gjithë maksimumin për të arritur rezultatin pozitiv.

Do të hyjmë në fushë të fitojmë ndeshjet për t’i gëzuar ‘Dardanët’, sepse ata janë lojtari i 12-të për neve në fushë”, ka thënë Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat