2 vjet më parë festoi inkuadrimin në Superligë, sot Dukagjini është gati për Evropë

Futboll

2 vjet më parë festoi inkuadrimin në Superligë, sot Dukagjini është gati për Evropë

Më: 10 korrik 2023 Në ora: 16:25
Foto ilustrim

Si bajraktar të edicionit 1993/94, nuk kishin mundësi të luajnë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, pasi kampionati kosovar i pavarësuar nga ish-Jugosllavia, nuk njihej nga asnjë instancë ndërkombëtare e futbollit.

E që klubi ikonë në komunën e Klinës, ta përjetojë një aventurë evropiane, u deshtë të pritej plot 29 vjet.

Dukagjini që gjatë këtyre 3 dekadave, shëtitej sa në Superligë e sa në nivelet më të ulëta të garave, arriti që historisë së tyre me titullin e vetëm kampion të vitit 1994, t’ia shkruaj tani një faqe të re, atë të Evropës.

Kampionati i mbyllur në pozitën e katërt dhe moslicensimi i Prishtinës, i dhanë mundësinë të gjelbërve që t’i sigurojnë 150 mijë euro, nga pjesëmarrja në rrethin e parë kualifikues në Konferencën e Evropës. Por gjasat e klinasve për ta kaluar këtë fazë e për t’i arkëtuar së paku 350 mijë euro, janë reale meqenëse kundërshtar kanë një skuadër nga Liga e Gjibraltarit, niveli i të cilëve llogaritet më i ulët se Superliga e Kosovës.

E nëse vetëm dy vjet më parë, futbolldashësit e Klinës u lumturuan me inkuadrimin e skuadrës së tyre të zemrës, nga Liga e Parë – në Superligë, e vitin e kaluar u gëzuan nga sigurimi i mbijetesës në elitën e futbollit të Kosovës, sot, emocionet e tyre kanë tjetër ndjesi, atë të shijes evropiane.
Madje, me plot shpresë për ta shijuar një duel të dytë evropian, me Rijekën e Kroacisë, skuadër kjo që në rundin e dytë të UECL-së, pret fituesin e duelit të klinasve kundër ekipit nga Gjibraltari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat