Edhe Shoqata Rajonale e Futbollit Elbasan shënoi rritje të djemve e vajzave që luajnë futboll sezonin e kaluar

Futboll

Edhe Shoqata Rajonale e Futbollit Elbasan shënoi rritje të djemve e vajzave që luajnë futboll sezonin e kaluar

Më: 15 korrik 2023 Në ora: 12:14
Pamje nga një ndeshje

Është kohë bilancesh dhe për Shoqatën Rajonale të Futbollit Elbasan numrat e edicionit të kaluar janë vërtetë pozitive dhe optimiste për të ardhmen.

Me një llogaritje të thjeshtë është rritur numri i futbollistëve të kësaj shoqate të regjistruar në ekipe, akademi apo shoqate në shifra të konsiderueshme.

Më konkretisht për sezonin 2022-2023 janë regjistruar 1008 futbollistë djem, 80 vajza dhe 120 në kampionatin amator të formatit 5×5, teksa e thënë më shkoqur janë 240 djem dhe 50 vajza të regjistruar më shumë se në sezonin paraardhës, rreth 24% më shumë. Shifra të diktuara nga projektet e rëndësishme dhe incentivat e FSHF-së për zhvillimin e futbollit në vend, veçanërisht për futbollin e bazës.

Për SHRF Elbasan risia e këtij viti ishte krijimi i kampionatit të vajzave për moshën U-13 me pjesëmarrjen e pesë ekipeve të femrave si edhe organizimi i kampionateve Ndër-rajonale për moshat U-17 dhe U-19.

Gjithashtu, projekti Uniforma Ime ka rezultuar një lehtësim edhe për të gjitha familjet e Elbasanit, duke nisur nga vetë klubet, por edhe prindërit, të cilët hoqën disa shpenzime të rëndësishme për fëmijët e tyre në një kohë që ky projekt pritet të vazhdojë për të pasur një ndikim të vazhdueshëm. Normalisht pati një impakt edhe në rritjen e numrit të fëmijëve të regjistruar dhe pjesëmarrja e tyre ka qenë në një nivel të kënaqshëm.

Sakaq, problematika më e madhe në qarkun e Elbasanit janë terrenet, sidomos në sezonin e shirave, pasi pjesa më e madhe e fushave janë natyrale dhe vetëm një fushë është sintetike.

Shoqata Rajonale e Futbollit Elbasan do të synojë që të rrisë numrin e ekipeve pjesëmarrëse më kampionatin e futbollit 5×5 dhe të ketë shtrirje më të gjere të ekipeve nga i gjithë qarkun që të marrin pjesë në kampionat.

SHRF Elbasan shpreson që të vijojnë me rritjen e numrit të vajzave të cilat luajnë futboll edhe përgjatë sezonit në vazhdim dhe normalisht synim tjetër kryesor është edhe rritja e numrit të fëmijëve që të merren me sportin e futbollit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat