Rrëfimi i Salibas: Studioj Van Dijk, Arteta nuk më foli për një javë

Futboll

Rrëfimi i Salibas: Studioj Van Dijk, Arteta nuk më foli për një javë

Më: 19 korrik 2023 Në ora: 11:50
William Saliba

William Saliba është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm për Arsenalin dhe kjo u pa fare qartë në momentin që mbrojtësi u dëmtua në fundin e sezonit të kaluar. “Topçinjtë” pësuan një rënie të menjëhershme dhe reparti difensiv nisi të fusë ujë nga të gjitha anët.

Megjithatë, vetë francezi e ka hedhur pas krahëce tashmë dëmtimin dhe është gati për një tjetër sezon si protagonist, aq më tepër që drejtuesit i rinovuan kontratën deri në vitin 2027.

Në një rrëfim për “Mail Sport, 22-vjeçari thekson se në fillimet e tij ka luajtur si sulmues, por ishte shumë përtac për një rol të tillë. Ndër të tjera, Saliba u shpreh se studion lëvizjet e Virgil Van Dijk si dhe komentoi raportin me trajnerin Mikel Arteta.

“E vërteta ështe se në fillimet e mia luaja si sulmues dhe isha i fortë, shënoja shumë gola. Isha mirë edhe në aspektin teknik, por e vërteta është se isha përtac. Tani si mbrojtës studioj shumë lëvizjet e Virgil Van Dijk, më pëlqen shumë mënyra si mbron kur është në situata një kundër një me kundërshtarin. Është shumë i qetë. Një tjetër plus është edhe topi i gjatë, është gjithnjë shumë i saktë në këtë aspekt.

Për mua është i kompletuar dhe vetëm mund të mësosh nga një si Van Dijk. Mendoj se për dy apo tre vite ai ishte padiskutim më i miri. Edhe unë i kam kualitetet për të qenë më i mirë, por duhet shumë punë pasi vetëm cilësitë nuk mjaftojnë. Do të bëj maksimumin që një ditë të jem më i miri në botë.

E ardhmja do të jetë e mirë për Arsenalin, do të rikthehemi në krye. Nuk do të jetë e lehtë, por në fushë do të bëjmë gjithçka për t’i fituar të gjithë titujt e mundshëm.

Jam i lumtur që jam me skuadrën në fazën përgatitore.

Marrëdhënia me trajnerin Arteta? Ditën e parë te Arsenali më përshëndeti, por pastaj nuk më foli për një javë. Unë thjesht vazhdova punën dhe t’ia bëja të qartë se isha gati në momentin që do të më aktivizonte. Është më mirë që unë t’i flas atij në fushë, e dija që një ditë ai do të afrohej me mua.

Zhvilluam një sezon të madh dhe mësuan shumë, është e vështira ta fitosh Premier League, por do të provojmë sërish. Sepse në fund mbahet mend fituesi dhe jo vendi i dytë”, përfundoi Saliba.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat