Abazaj para përballjes me Besiktasin

Futboll

Abazaj para përballjes me Besiktasin

Më: 26 korrik 2023 Në ora: 22:08
Abazaj

Mbrëmjen e 27 korrikut, “bardheblutë” e Tiranës do të përballen në “Vodafone Arena” të Stambollit, ndaj “gjigandëve” turq të Besiktas, në përballjen e parë të vlefshme për fazën e dytë të kualifikueseve të Conference League.

Për përballjen përveç teknikut, Orges Shehi, disa fjalë për mediat, në konferencën për shtyp i tha dhe “fantazisti” i sulmit të Tiranës, Kristal Abazaj, i cili beson te një rezultat pozitiv i “bardhebluve” të tij, teksa thekson se janë përgatitur shumë mirë për këtë ndeshje tejet të vështirë.

“Të jem i sinqertë nuk e besoj se në futboll mund të thuhet se të tremb diçka pasi futbolli ka treguar se ekipet e vogla shpesh mund të bëjnë mjaft mirë ndaj të mëdhenjve. Ne kemi shanset tona, do të luajmë shanset tona, do të bëjmë atë që thotë trajneri, të jemi të gjithë bashkë. E rëndësishme është që të mos bëjmë gjëra të nxituara se është një atmosferë që të bën ndonjëherë të nxitosh. Por ne kemi përgatitur gjithçka mirë dhe besoj se do bëjmë mirë.

Ajo që duhet të kemi kujdes është atmosfera, jo të gjithë në skuadrën tonë e kanë përjetuar një atmosferë të tillë. Por duke parë që në një atmosferë të tillë është edhe emocionale, lojtarët nuk mund të shprehin atë që bëjnë më mirë. Por siç e tha trajneri, nuk do vijmë këtu të dorëzuar. E dimë mirë çfarë ekipi dhe atmosfere na pret këtu. Do mundohemi të bëjmë sa më mirë..

Të jem i sinqerte, ndeshja nuk është se i ngjason ndeshjes. Nuk është se kemi një strategji të veçantë ndaj Beshiktashit, jemi përgatitur mirë. E dimë çfarë cilësish ka, por kjo nuk është se nuk do të na ndalojë të tregojmë e të bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë.

Ne do bëjmë më të mirën tonë, atë që na ka thënë trajneri dhe vlerësim të çdo situate. Kështu do të nxjerrim veten tonë sa më mirë”,- u shpreh Abazaj në fjalën e tij, gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat