Lukaku te Juve?

Futboll

Lukaku te Juve?

Më: 30 korrik 2023 Në ora: 14:56
Lukaku

Misioni i merkatos. Tashmë që horizonti është skicuar përfundimisht, tashmë që UEFA ka certifikuar përjashtimin nga Kupat e Europës për një vit, për Juventusin bëhet prioritet konsolidimi i llogarive dhe qëndrueshmëria e menaxhimit. Këto ishin udhëzimet e rifillimit, të diktuara nga kompania, tashmë në kohën e ndryshimit të qeverisjes.

Për këtë arsye, Cristiano Giuntoli, i cili sapo është kthyer në Itali nga Los Angeles, pasi ka parë suksesin e bardhezinjve ndaj Milanit në ndeshjen e parë miqësore të turit amerikan, është gati të shkojë me mision të qartë në Londër. Aty do të zhvillohen lëvizjet e radhës të klubit të Juventusit.

Drejtori i zonës teknike do të funksionojë sipas një logjike shumë precize, që nënkupton shitjet para blerjeve. Rruga është gjurmuar: duhet reduktuar skuadra nga tepricat, të zvogëlohet shuma e pagave dhe të mblidhen para.

Kjo nënkupton mundësinë e shitjeve të shkëlqyera, dhe të dhimbshme nga pikëpamja teknike, në emër të buxhetit. Vendimi i UEFA-s, që e lë Juventusin jashtë Europës, ka në fakt një ndikim ekonomik prej rreth 80 milionë euro të ardhura më pak, të cilat domosdoshmërisht do të duhet të kompensohen.

Me pak fjalë, shitjet si pikënisje, me një objektiv arkëtimi 100 milionë euro, për t’iu dhënë oksigjen llogarive dhe financuar tregun në hyrje. Ky është ekuacioni që i çon bardhezinjtë drejt Lukakut. Trajneri Allegri e dëshiron fort “Big Rom”, sulmuesi belg po pret vetëm “Zonjën e Vjetër”. Megjithatë, marrëveshja lidhet me largimin e Vlahovic, të cilin Juve është gati ta shesë për 75 milionë euro.

Për momentin, askush nuk ka trokitur në “Continassa” me një ofertë të këtyre përmasave. Për këtë arsye, kohët po zgjasin duke pritur për shkëndijën që mund të ndezë dominimin ndërkombëtar të merkatos së bomberave. Të gjithë sytë janë te Mbappé, por edhe lëvizjet e Kane (drejt Bayern Munich, përpara PSG) dhe Hojlund (një hap larg Manchester United) mund të ndihmojnë në zhbllokimin e skenarit dhe hapjen e mundësive të ardhshme për Vlahovic.

Largimi i serbit zhbllokon ardhjen e Lukakut. Juve, nga ana e saj, tashmë ka ofruar 40 milionë euro për blutë e Londrës (të cilët nuk duan një zgjidhje huazimi) dhe ka kërkuar të presin të paktën edhe një javë. Ka të ngjarë që Giuntoli të jetë në gjendje të shkojë në “Stamford Bridge” për të bërë një bilanc të situatës, ndoshta duke u përpjekur të përfshijë sërish Vlahovicin në negociata. Shpresa e Juventusit është të sjellë në vijën e finishit operacionin e “Big Rom” për rreth 10 ditë.

Paralelisht, Giuntoli do të përpiqet të materializojë shitjen e Zakarias te West Ham, me të cilin prej javësh ka një dialog të hapur me synimin për të arritur objektivin, rreth 18-20 milionë euro (në garë për zviceranin janë edhe Monaco e Leipzig). Po kështu, Premier League mund të jetë edhe një herë shtëpia e McKennie, aktualisht i rikthyer te bardhezinjtë, por ende në treg, si dhe Iling-Junior, një talent i shfrenuar që Juve e vlerëson 20-25 milionë euro.

Nuk ka hezitim për të fituar para edhe nga shitje të shkëlqyeshme, sepse Chiesa dhe Bremer pëlqehen gjithmonë në Angli, ndërsa Kean mund të gjente një treg tjetër.

Prioritet ndaj shitjeve, por me një sy, natyrisht, edhe ndaj mundësive. Në fakt, nuk është mister që bardhezinjtë po vlerësojnë një anësor që mund të veprojë si zëvendës i Weah. I preferuari është Holm, që kushton 15 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat