Apolonia ka ndryshuar kurs në merkato

Futboll

Apolonia ka ndryshuar kurs në merkato

Më: 5 gusht 2023 Në ora: 21:25
Apolonia

Afrika duket se është kthyer në tregun e preferuar të Apolonisë, të paktën në tri sezonet e fundit. Nëse më herët hidheshin sytë nga Kosova, Mali i Zi, Kroacia, Greqia apo edhe Maqedonia, duket se kjo “modë” ka marrë fund njëherë e mirë.

Aktualisht në skuadrën fierake nuk ka asnjë futbollist nga vendet e Ballkanit dhe gjasat janë që të jetë kështu deri në mbyllje të merkatos së verës.

Vit pas viti, vendin e tyre po e zënë futbollistët nga kontinenti afrikan, kjo ndoshta edhe për shkak të kostove e pretendimeve më të vogla edhe për faktin se Apolonia është dorështrënguar sa u përket shpenzimeve dhe është fokusuar më së shumti te lojtarët e rinj. Zyrtarisht te fierakët janë nën kontratë tre lojtarë të rëndësishëm afrikanë, të cilët pritet të përbëjnë edhe boshtin kryesor në çdo repart të Apolonisë së re.

Të paktën, kjo është vënë re gjatë seancave stërvitore të zhvilluara nga tekniku spanjoll, për ta nisur me mbrojtësin shtatlartë nga Nigeria, Ndubuisi Francis Eneh, vetëm 19 vjeç, por që ishte një nga protagonistët kryesorë në sezonin e fundit. Për të vijuar me nigerianin tjetër, mesfushorin “veteran” Nuredin Orelesi.

Ky është një njohës shumë i mirë i kampionatit shqiptar, sepse ka luajtur më parë për Skënderbeun, Dinamon, Kamzën dhe Vllazninë. I fundit, por jo për nga rëndësia, është sulmuesi shtatlartë Mesoma Umejiego Antoni. 20-vjeçari shkëlqeu në sezonin e fundit, pasi arriti të gjejë plot 11 herë rrugën e rrjetës, 10 në kampionat e 1 në Kupë. Shifër e kënaqshme duke marrë parasysh faktin se ishte sezoni i parë i plotë me fierakët.

Aktualisht në provë është vetëm mesfushori Ibrahim, po me origjinë nga Nigeria, por që të bëhet pjesë e bardhejeshilëve për sezonin e ri duhet të bindë fillimisht stafin teknik. Mesa duket, në Fier kanë vendosur që të huajt e vetëm do të vijnë nga Afrika.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat