Kaosi dhe dhuna gjatë Tirana - Beshiktash, UEFA merr vendimet e para

Futboll

Kaosi dhe dhuna gjatë Tirana - Beshiktash, UEFA merr vendimet e para

Më: 9 gusht 2023 Në ora: 00:07
Foto ilustrim

Kaosi para ndeshjes mes Tiranës dhe Beshiktash në stadiumin “Air Albania”, ka bërë që UEFA të hapë hetim disiplinor për sfidën e luajtur javën e kaluar, e vlefshme për turin e dytë të Ligës së Konferencës. Dhe klubi turk ka bërë sot publike pasojat e veprimeve të mbështetësve të tij.

Beshiktashi, nëpërmjet një komunikate zyrtare, bëri të ditur se UEFA kishte vendosur që t’i ndëshkonte me një gjobë të rëndë, ndërsa i kishte dhënë një dorë klubit turk duke ulur nga 2 ndeshje në vetëm 1 pezullimin për Masuakun, i cili u ndëshkua me karton të kuq në atë sfidë.

“Pezullimi për futbollistin tonë Artur Masuaku, i cili mori një karton të kuq në ndeshjen ndaj Tiranës, u reduktua nga 2 ndeshje në 1. Si pasojë, ai do të jetë i gatshëm për ndeshjen e dytë që skuadra do të luajë kundër Neftçi Baku në turin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Për më tepër, për shkak të ngjarjeve në tribunën e miqve gjatë ndeshjes ndaj Tiranës, klubi ynë u gjobit me 40 mijë euro dhe është mbyllur tribuna e tifozëve udhëtues për një ndeshje. Por ky penalitet i fundit u pezullua për dy vite dhe do të hyjë në zbatim nëse shkeljet do të përsëriten”, shkruante klubi i Beshiktashit.

Tani pritet të mësohet se cili do të jetë ndëshkimi për klubin e Tiranës, pasi kishte probleme dhe me tifozët bardheblu në trazirat që i paraprinë fillimit të ndeshjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat