Sirenat e alarmit vijnë nga Rusia për trajnerin e Shqipërisë

Futboll

Sirenat e alarmit vijnë nga Rusia për trajnerin e Shqipërisë

Më: 10 gusht 2023 Në ora: 19:39
Pamje nga një ndeshje

Ndeshjet e Shqipërisë po afrojnë gjithmonë e më shumë, në shtator Kombëtarja do ta ketë të qartë nëse do të shkojë apo jo në Europianin e Gjermanisë. Kuqezinjtë do të përballen ndaj Çekisë dhe Polonisë, dy kundërshtarët direkt që me siguri do të vulosin fatet tona.

Silvinjo ka nisur që të mendojë rreth formacionit që mund të hedh në fushën e lojës, duke kaluar ndërmend balotezhet që mund të jenë për një vend në formacion. Konkurrenca është e madhe në të gjitha sektorët e fushës, por ne duhet të ndalemi pak te krahët e mbrojtjes.

Në dy ndeshjet e fundit, braziliani luajti me dyshen Hysaj-Mitaj.

Duke marrë parasysh kthimin e Ivan Balliut, që në më shumë ndeshje nuk ka qenë i gatshëm për të luajtur me Shqipërinë për shkak dëmtimesh, atëherë do të kishim tre lojtarë për dy pozicione.

A do të preferojë Silvinjo që të luajë me Mitaj-Balliu apo me Hysaj-Balliu? Kjo është pikëpyetja më e madhe, pasi dukshëm Ivan Balliu ka shumë cilësi në këmbë. Në fakt Mitaj ka qenë lojtari më i vlerësuar në dy ndeshjet e fundit te Shqipëria pasi ishin takimet e para të tij.

Por më shumë 20-vjeçari u dallua për idetë e tij sa i përket ndihmës së fazës sulmuese dhe kontrollit të topit. Në aspektin mbrojtës, kishte disa momente të vështira për të, megjithëse Ishujt Faroe dhe Moldavia nuk janë rivalë që tregojnë realisht problemet.

Alarmi për Silvinjon vjen nga Rusia. Pas ndeshjes ku Lokomotiva e Moskës humbi me shifrat 4-1 ndaj CSKA Moska, Mitaj u cilësua si një nga lojtarët më të dobët në mbrojtje. Madje ish-lojtari i Lokomotivës, Dmitry Bulykin, shkoi një hap më tej me deklaratën e bërë.

“Kur Mitaj futet në fushë, ka një lloj situate shumë kritike.

Nëse vjen Mukhin(1.80 i gjatë), lojtari i CSKA dhe shënon gol me kokë, atëherë Mitaj duhet të largohet menjëherë.

Nëse Lokomotiva kërkon të luftojë për titullin kampion, atëherë është e qartë se nuk është Mitaj mbrojtësi ku duhet të mbështetesh. Madje nuk duhet ta mbash as në stol”, tha Bulykin.

Pra të gjithë e kemi parë Mitajn sesi vepron për të ndihmuar sulmin dhe është e qartë, nuk ka konkurrencë te Kombëtarja në krahun e tij. Por sa i përket aspektit mbrojtës, në Rusi shprehen se Mario ka ende disa dobësi që duhet të punojë.

Në përballje si ato kundër polakëve dhe çekëve, çdo gabim kushton një gol. Tani mbetet të shihet nëse Silvinjo do të eksperimentojë duke hedhur sërish bastin te Mitaj, që do të ishte prova e parë e vërtetë ku do të testohej si në mbrojtje ashtu edhe për ndihmën në fazën sulmuese apo do të rikthejë sërish Elseid Hysaj në krahun e majtë, për të pasur më shumë garanci në prapavijë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat