Ademi: Një edicion që sjell me vete valë të re emocionesh

Futboll

Ademi: Një edicion që sjell me vete valë të re emocionesh

Nga: K.G. Më: 12 gusht 2023 Në ora: 12:36
Agim Ademi

Sot fillon edicioni i ri i elitës së futbollit të Kosovës.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i drejtohet me një letër opinionit të këtij sporti.

“Të dashur dashamirë të futbollit, të nderuar futbollistë, trajnerë, drejtues të klubeve, gjyqtarë e vëzhgues, sponsorë dhe tifozë,

Sot, me krenari dhe emocion, nisim një kapitull të ri të garave në futbollin e Kosovës. Loja jonë e përbashkët dhe emocionet që i dhuron ajo na kanë munguar gjatë periudhës së verës, por tani klubet tona rikthehen të fokusuara për një rrugëtim të gjatë me shumë emocion, pasion e rivalitet në fushën e gjelbër, por edhe me ambicie për sukses.

Edicioni i ri duhet të shërbejë si pjesë e unitetit dhe përkushtimit të të gjithë neve ndaj këtij sporti, i cili do të na bashkojë e frymëzojë në muajt në vazhdim. Si president i Federatës së Futbollit të Kosovës, kam kënaqësinë që të shpall fillimin e kampionatit të ri.

Një edicion që sjell me vete valë të re emocionesh, sfidash dhe mundësish për të gjithë, e veçmas për talentet e reja për të treguar potencialin dhe aftësitë e tyre në fushën e lojës. E pikërisht ky edicion do të ketë në fokus futbollistët e rinj, ngase për herë të parë fillojmë edhe me Superligën U21.

Në kuadër të kësaj lige, futbollistët e rinj do ta kenë hapësirën dhe mundësinë për të treguar aftësitë e tyre të jashtëzakonshme. Ky është një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të talentit vendor, që ka për qëllim të krijojë një bazë të fortë për të ardhmen e futbollit në Kosovë.

Tani është momenti që tifozët të tregojnë besnikërinë e tyre ndaj sportit më të popullarizuar dhe ndaj skuadrave të tyre të zemrës, me prezencën e tyre në tribuna dhe duke krijuar atmosferë sa më madhështore në stadiumet e futbollit.

Ne, si Federatë, kemi punuar me vendosmëri për të siguruar të gjitha parakushtet për një kampionat me organizim sa më të mirë dhe me transparencë maksimale. Në këtë drejtim kemi vendosur që delegimi i gjyqtarëve të bëhet përmes shortit, duke siguruar një trajtim të barabartë dhe të drejtë për të gjithë.

Gjyqtarët dhe vëzhguesit kanë mbajtur seminaret me instruktorët e FIFA-s, komisionet përkatëse kanë bërë plotësimin e nevojshëm të akteve normative, derisa sistemi VAR është përditësuar me programin e ri. Pra, i kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura, pasi jemi të përkushtuar që të sigurojmë një ambient të rregullt dhe të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit e garës.

Sot nis një rrugë e gjatë dhe sfiduese, por pavarësisht rezultateve, kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për të treguar mirësjelljen, respektin dhe dashurinë e madhe ndaj sportit tonë më të dashur - futbollit. Me këtë rast inkurajoj dashamirët e futbollit që të përkrahin ekipet e tyre të preferuara maksimalisht e me zemër, por njëherësh duke demonstruar kulturë sportive dhe ‘fair-play’.

Falënderoj kompanitë e ndryshme që kanë investuar në futbollin tonë, pasi partneriteti me to ndihmon në rritjen e cilësisë së këtij sporti. Njëherësh ftoj edhe bizneset e tjera që të shfrytëzojnë Ligjin për Sponsorizim dhe të mbështesin klubet e futbollit, pasi kjo nënkupton investim për një rini të shëndosh të vendit tonë.

Le të shijojmë çdo ndeshje, çdo gol dhe çdo triumf, sepse futbolli është më shumë se një lojë - është pasioni që na bashkon. Suksese e mbarësi për të gjitha skuadrat në edicionin e ri”, ka shkruar Ademi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat