Nga Superliga greke te Dinamo

Futboll

Nga Superliga greke te Dinamo

Më: 19 gusht 2023 Në ora: 13:15
Dinamo

Fatjon Andoni është një nga emrat e fundit të merkatos së Dinamos, që po përpiqet të formojë një skuadër sa më cilësore për sezonin e ardhshëm, me synimin për të paktën një vend në katërshen e parë.

Mesfushori i lindur në Greqi, por me pasaportë shqiptare, për herë të parë do të luajë në Superiore pas eksperiencës së gjatë në vendin fqinj me disa skuadra. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, 32- vjeçari është shprehur se ka rënë dakord me drejtuesit e Dinamos dhe pret të firmosë këto ditë.

“Po, është e vërtetë. Kam një akord me drejtuesit e Dinamos për të luajtur me këtë skuadër në vazhdim. Pres të firmos kontratën këto ditë, por nuk e di akoma me saktësi se kur do ta bëj këtë gjë dhe kur do të bashkohem me ekipin”, konfirmoi lojtari që sezonet e fundit ka qenë pjesë e Apollon Smirnis.

Mesfusha ka qenë një nga pikat më të nxehta të merkatos së Dinamos, sidomos pas ardhjes së trajnerit Luixhi di Biaxho. Fillimisht u tha se ky repart do të bëhej nga e para.

Periudhën e fundit u provuan të gjithë lojtarët që ishin në dispozicion, por mësohet se disa nuk e kanë kaluar “klasën”, madje as sllovaku Ivan, paçka se dje u aktivizua në ndeshjen ndaj Vllaznisë. Andoni është menduar për të qenë titullar përpara mbrojtjes, në rolin e shkatërruesit.

Dhe në kampin blu kanë bindjen se e kanë zgjidhur këtë problem, ndaj dhe tani po shohin për një tjetër titullar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat