Cana: Jam i befasuar

Futboll

Cana: Jam i befasuar

Më: 20 gusht 2023 Në ora: 11:11
Lorik Cana

Shqipëria është duke përjetuar një bum të jashtëzakonshëm turistik.

Shtetas shqiptarë dhe të huaj nga shumë vende të botës, kanë zgjedhur këtë vit “vendin e shqiponjave” për të kaluar pushimet.

Padyshim që qëllimi kryesor është shijimi i bukurive që sjell bregdeti jonë, por nuk mbetet pas as edhe trashëgimia kulturore.

Përpos jugut, Kruja është një nga vendet më të vizituara nga shtetas shqiptar  dhe të huaj nga vende të ndryshme të botës.

Rrugët e kalldrëmta të qytetit antik janë të mbushura si kurrë më parë. Muzeu Kombëtar është i mbushur me grupe të mëdha turistësh.

Një prej vizitorëve është edhe legjenda e kombëtares shqiptare, Lorik Cana, i cili shprehet se ka sjellë në Krujë, motrën me bashkëshortin e saj, të cilët vijnë për herë të parë në Shqipëri.

Cana gjithashtu shprehet se është i befasuar nga fluksi i  lartë i turistëve vendas dhe të huaj.

“Kam qenë disa herë këtu. Sot po bëj shoqëruesin e motrës dhe burrin e motrës. Për burrin e motrës është hera e parë që vjen në Shqipëri. Kruja është simbolika e rëndësishme e historisë sonë.

Ka jashtëzakonisht shumë turistë. Sa më shumë do ecim përpara, aq më shumë turistë do ketë në Shqipëri.

Vendi po njihet më shumë edhe ndërkombëtarisht, media bën të vetën, rrjetet sociale bën të vetën, shqiptarët nëpër Evropë bëjnë të veten. Ne duhet të përpiqemi të jemi sa më të denjë për t’i mirëpritur” u shpreh Cana.

Ky vit shënon rekord edhe për Krujën sa i përket numrit të lartë të turistëve, ndërsa të huajt po vizitojnë edhe zona të tjera në Malësinë e Krujës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat