Partizani mund të shkruajë historinë kundër Astanës

Futboll

Partizani mund të shkruajë historinë kundër Astanës

Më: 22 gusht 2023 Në ora: 11:50
Partizani

Partizani është vetëm dy ndeshje larg historisë. Të kuqtë kanë arritur për herë të parë në fazën “play off” të një kompeticioni të UEFA-s dhe tashmë Astana i ndan nga grupet e Ligës së Konferencës.

Klubi kazak vjen si pretendent në këtë raund, duke u nisur nga buxheti i tyre dhe arritjet në vitet e fundit në Europë. Por futbolli jo gjithmonë fitohet nga paratë.

Kampionët e Kazakistanit janë padyshim një rival i fortë për Partizanin, por jo i pamundur. Kryeqytetasit kanë shanset e tyre në këto dy përballje dhe rezultatet e fundit të Astanës e mbështesin këtë tezë. Kazakët e nisën rrugëtimin e tyre në Ligën e Kampionëve, ku në ndryshim nga “demat e kuq”, arritën të kalonin në turin e dytë.

Megjithatë kundërshtar patën Dinamon e Tbilisit, me të cilët barazuan 1-1 në ballafaqimin e parë dhe fituan 1-2 në të dytin. Një rival në një nivel jo të lartë, teksa pak vite më parë u eliminua edhe nga Tirana, ndërsa këtë edicion, një skuadër modeste si Hamruni e Maltës i ndërpreu rrugëtimin në Ligën e Konferencës. Ndërkohë në turin e dytë të Ligës së Kampionëve Astana u përball me Dinamon e Zagrebit, që fitoi me rezultatin e përgjithshëm të të dyja ndeshjeve 6-0.

Pas këtij eliminimi kazakët vijuan rrugëtimin në Ligën e Europës, ku kundërshtar gjetën Ludogoretsin. Kampionët e Kazakistanit fituan ndeshjen e parë me rezultatin e ngushtë 2-1, por u mposhtën në ndeshjen e kthimit me goleadë 5-1. Rezultate që të kujtojnë edhe përballjen mes Ballkanit dhe Ludogoretsit, që pati pak a shumë të njëjtën histori. Ekipi i Ilir Dajës fitoi sfidën e parë 2-0, por u mposht në të dytën 4-0.

Pas këtij eliminimi të dytë, rrugëtimi për Astanën vijon në “play off” të Ligës së Konferencës dhe përballë do të kenë pikërisht Partizanin. Në tërësi, skuadra kazake numëron 6 ndeshje në Europë, ndër të cilat vetëm dy prej tyre i ka fituar.

Gjithashtu golavarazhi i saj është në shifrat e 6 golave të shënuar dhe 14 golave të pësuar. Një bilanc negativ për verdheblutë, krahasuar me 5 golat e pësuar dhe 9 të shënuar për Partizanin në Europë. Gjithashtu, të kuqtë numërojnë vetëm një humbje në këto kualifikuese.

Situata nuk paraqitet e mirë as në kampionat për Astanën. Fitorja e tyre e fundit në elitën e futbollit kazak daton në 2 korrik kundër Kaspij Aktaut, që momentalisht renditet i fundit në tabelën e klasifikimit. Të gjithë këto fakte të mbështetur në statistika janë një motivim mjaft i mirë për Partizanin, që tashmë mund të besojë në fuqinë e tij për të kaluar edhe këtë pengesë të fundit që qendron mes tyre dhe grupeve të Ligës së Konferencës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat