Kartonët bëhen problem te Skënderbeu

Futboll

Kartonët bëhen problem te Skënderbeu

Më: 5 shtator 2023 Në ora: 13:40
Skënderbeu

Skënderbeu e ka nisur më së miri sezonin e ri në Su periore dhe pas dy javësh kryeson kampionatin me pikë të plota.

Në dy javë bardhekuqtë janë i vetmi ekip që kanë grumbulluar gjashtë 6 pikë (përjashto Partizanin që ka një ndeshje më pak dhe mund të arrijë këtë kuotë nëse mund Teutën). Shifra këto tejet domethënëse për një ekip që është ndërtuar nga e para pas rikthimit në elitë.

Por, pavarësisht paraqitjeve pozitive dhe dy fitoreve radhazi, ajo që bie në sy dhe që shqetëson stafin bardhekuq është numri i lartë i kartonëve të verdhë të marrë.

Nëse u referohemi statistikave të dy ndeshjeve të para, korçarët janë ekipi më i ndëshkuar në këtë pikë të kampionatit.

Bardhekuqtë kanë marrë në total 8 kartonë të verdhë në vetëm dy ndeshje, por ajo që e bën më shqetësuese situatën është se portieri Marko Alia dhe mbrojtësi Randi Dumfur kanë nga dy të tillë. Një karton i treti i marrë nga dy titullarët do të thotë mungesë në ndeshjen pasardhëse.

Pas tyre vijnë edhe katër lojtarë të tjerë që janë ndëshkuar si Marko Ramos, Ermir Rashica, Gresild Lika dhe Kosta Vangjeli. Nga 6 lojtarët e ndëshkuar, shumica janë titullarë stabël të ekipit bardhekuq. Një fakt i tillë nuk i ka pëlqyer trajnerit Ivan Gvozdenoviç, që iu ka tërhequr menjëherë vëmendjen lojtarëve që të shmangin ndëshkimet e kota dhe të panevojshme. Kryesisht, ato për protesta apo ndërhyrje në zona të parrezikshme. Në përgjithësi ndëshkimet kanë ardhur pikërisht për protesta, por edhe vonesa loje.

TË HUAJT PRESIN VIZËN – Edhe pse kampionati ka filluar, bardhekuqtë presin lojtarët që kanë firmosur, por ende nuk janë bashkuar me ekipin. Burime në klub bëjnë me dije se dy sulmuesit afrikanë, nigariani Uçe Sebastine dhe kamerunasi Ivan Xhantu, janë në proces e sipër për pajisje me vizën e punës për në Shqipëri.

Procedurë, e cila sipas drejtuesve të klubit pritet të zgjasë edhe disa javë para se të bashkohen me ekipin nën urdhrat e trajnerit Gvozdenoviç. Nga ana tjetër, të njëjtat burime thanë për “Panorama Sport”, se sulmuesi nigerian që vjen nga Turbina, Franklin Ahanonu, është bashkuar në stërvitje me ekipin, por pritet që të shihet gjendja e tij fizike dhe nëse do të përmbushë kërkesat e trajnerit Gvozdenoviç për t’u grumbulluar që në ndeshjen e radhës.

Sulmuesi Franklin e ka zhvilluar fazën përgatitore me Flamurtarin. Në sezonin e fundit te Turbina sulmuesi gjashtë gola.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat