​Siguria për sfidën Shqipëri-Poloni, ja çfarë duhet të dini nëse do të jeni në Tiranë

Futboll

​Siguria për sfidën Shqipëri-Poloni, ja çfarë duhet të dini nëse do të jeni në Tiranë

Më: 10 shtator 2023 Në ora: 08:40
Foto ilustrim

Policia e Shtetit në Shqipëri ka përgatitur një plan të plotë masash për të siguruar rregull dhe siguri publike përgjatë ndeshjes ndërkombëtare të futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Polonisë, e programuar për sot (10 Shtator – 20.45) në Stadiumin “Air Albania”, të Tiranës.

Plani i masave parashikon detyrat që do të kryejnë të gjitha strukturat, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit ndërmjet ekipeve të Shqipërisë dhe Polonisë.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, gjatë datës 10 shtator 2023, nga ora 15:00, deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.

Rrugët që do të jenë të bllokuara:

-bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, 20 m mbi urën e Dajtit;

-rruga “Papa Gjon Pali II”;

-rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së;

-rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së”;

-rruga “Themistokli Gërmenji”;

-rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i liceut;

-rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;

-rruga “Jul Variboba”, pranë postës;

-rruga “ Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës;

-rruga “Avdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.

Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike monedha metalike, çadra, çakmak, karikues telefoni dhe sendeve të tjera të forta të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.

Policia kujton se, veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga deri në 100 000 euro. Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.

Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Legjislacioni penal shqiptar e konsideron vepër penale goditjen apo çdo vepër tjetër dhune ndaj

sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportive, për shkak të veprimtarisë sportive, nga persona jashtë kësaj veprimtarie, vepër penale që dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Portat e hyrjes në stadium, ditën e ndeshjes, do të hapen në orën 17:00.

Policia ka apeluar tifozët që do të ndjekin ndeshjen në stadium, që të paraqiten në kohë dhe të zbatojnë rregullat e përmendura më lart, në mënyrë të të mos krijohen radhë ose vonesa dhe ky aktivitet të përmbyllet pa incidente, në interes të imazhit të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat