Laçi feston fitoren e parë sezonale, “luan tenis” me Teutën

Futboll

Laçi feston fitoren e parë sezonale, “luan tenis” me Teutën

Më: 15 shtator 2023 Në ora: 18:12
Pamje nga ndeshja

Laçi argëtohet dhe bind në shtëpi ndaj Teutës, me kurbinasit të cilët shijuan fitoren e parë sezonale në javën e tretë të kampionatit.

Skuadra e Bejzades triumfoi 6-1 ndaj të besuarve të Diego Longo-s, në një ndeshje të dominuar nga “bardhezinjtë”.

Durrsakët rezistuan vetëm nëntë minuta, me Sobowale që kaloi në avantazh Laçin. Vendasit e shfrytëzuan në maksimum momentin e mirë dhe në minutën e 24-të dyfishuan me mesfushorin Ujka.

Teuta bëri pak në fraksionin e parë për të ndryshuar panoramën e sfidës, ndërsa kurbinasit i shkuan pranë golit të tretë, madje duke gjetur edhe traversën në minutën e 31-të.

2-0 dhe kështu u mbyll pjesa e parë, ndërsa në 45 minutat e dyta, Laçi tregoi sërish forcën dhe realizoi edhe katër herë të tjera.

Pas dhjetë minutash lojë, William çoi rezultatin në 3-0, ndërsa në minutën e 61-të, vendasit festuan përsëri, këtë herë golin e katërt të realizuar nga Bajramaj.

“Poker” i Laçit dhe Teuta u dorëzua pa kushte dhe “bardhezinjtë” shkundën përsëri rrjetën e durrsakëve, me Ujkën që shënoi golin e pestë për kurbinasit dhe të dytin personal.

Në kohën shtesë, skuadra e Longo-s shënoi golin e “nderit” me Gjatën që realizoi një gol mjaft të bukur, por në fund shërbeu vetëm në aspektin personal.

Teksa ndeshja u vulos nga Myrta në minutën e 90+2′, që shënoi golin e gjashtë për Laçin.

Në fund 6-1, fitorja e parë e Laçit dhe një sinjal i fortë nga skuadra e Bejzades që shkon kështu në kuotën e 4 pikëve në vendin e gjashtë, ndërsa Teuta pëson humbjen e parë sezonale dhe në dy ndeshjet e luajtura krenohet me vetëm një pikë duke zbritur në vendin e nëntë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat