Daku e Muja ‘dridhin’ marrëdhëniet FFK-FSHF, kërkohet koordinim më i mirë

Futboll

Daku e Muja ‘dridhin’ marrëdhëniet FFK-FSHF, kërkohet koordinim më i mirë

Më: 16 shtator 2023 Në ora: 11:53
Foto ilustrim

“Ne jemi të hapur për çdo shqiptar që dëshiron të kontribuojë për ekipin kombëtar. Ne nuk ua ndërpresim ëndrrën për të përfaqësuar kombin shqiptar asnjë lojtari nga cilido qytet shqiptarë qoftë ai.”

Kjo është përgjigjja e Federatës Shqiptare të Futbollit dhënë për KosovaPress, pas pretendimeve të menaxherit të Kombëtares së Kosovës, se marrëdhëniet mes dy federatave nuk janë më të mirat e mundshme, pas ikjes së dy futbollistëve të Kosovës, Arbnor Muja dhe Mirlind Daku, të cilët vendosën të luajnë për Shqipërinë.

Për raportet mes FFK-së dhe FSHF-së, ka folur trajneri Tahir Batatina. Ai për KosovaPress, ka thënë se të dy federatat duhet të ulen dhe të diskutojnë në mënyrë që mos ta dëmtojnë njëra-tjetrën në aspektin e lëvizjes së lojtarëve.

Batatina: FFK dhe FSHF duhet të koordinohen që të mos e dëmtojnë njëra-tjetrën

“Mendoj që Federata e Futbollit të Kosovës edhe më herët është dashur të ketë një koordinim me Federatën Shqiptare, ku të dy koordinohen mes vete që për çdo lëvizje të lojtarëve të koordinohen dhe mos të bëjnë ndoshta marrje të lojtarëve as Kosova te Shqipëria, e as Shqipëria te Kosova. Ta kenë një marrëveshje bashkëpunimi mes dy federatave, ku në momente të caktuara nëse Kosova jep dritën jeshile ta merr Shqipëria, ose nëse Shqipëria e jep, ta merr Kosova dhe asnjëherë të mos luhen këto lojëra sepse kjo është një lojë ku unë po të dua ty në parim, ndërsa në anë tjetër po ta marrë lojtarin, nuk është kjo dashuri...Mendoj që FFK duhet të bëjë takim me FSHF-në, duhet të komunikojnë në mes vete që të mos ta dëmtojnë njëra-tjetrën, sepse nuk kemi ne interesa që të shtyhemi dy kombëtaret në mes vete”, tha Batatina.

Për raportet midis dy federatave ka folur edhe gazetari, Arlind Sadiku. Ai ka thënë për KosovaPress, se FFK dhe FSHF vazhdojnë t’i kenë raportet e mira dhe duhet t’i ruajnë ato, derisa lojtarët vendosin sipas vullnetit të tyre se për cilën kombëtare do të luajnë.

Sadiku: Federatat t’i ruajnë raportet e mira, lojtarët vendosin me vullnetin e tyre

“Unë mendoj që marrëdhëniet ndërmjet dy federatave kanë qenë të mira dhe janë të mira, duke gjykuar nga këndvështrimi im. Kjo është temë tjetër dhe temë e ndjeshme. Futbollistë të cilët po luajnë për Kosovën apo për Shqipërinë dhe në këtë aspekt, marrëdhëniet siç kanë qenë në të kaluarën, janë edhe tani sepse Kosova asnjëherë nuk ka dashur që futbollistët e Kosovës të merren nga Kombëtarja e Shqipërisë, por të luajnë për Kosovën. Por tani, këtu vije në shprehje vullneti i futbollistëve, nëse ata duan që të shkojnë te Shqipëria, natyrisht që mund të shkojnë, por këtu kemi edhe lojtarë te Kombëtarja e Kosovës që pak po përmenden që kanë pasur mundësi të luajnë për Shqipërinë, por meqenëse vullneti i tyre ka qenë që të luajnë vetëm për Kosovën, ata janë këtu sot. Unë sipas informacioneve që kam, Albion Rrahmani ka pasur mundësinë që të shkoj te Shqipëria, por ai ka insistuar që dua vetëm për Kosovën dhe për asnjë tjetër.”, tha Sadiku.

Nga ana tjetër, gazetari i mediumit ‘Topnews’ në Shqipëri, Erjon Halili konsideron se po krijohet një problematikë e kotë dhe një zjarr që nuk duhet të ekzistojë mes dy federatave.

Halili: Po ndizet një zjarr që nuk duhet të ekzistojë mes dy federatave

“Unë në mendimin tim personal, besoj që po krijohet një çështje e kot, po ndizet një zjarr që nuk duhet të ekzistojë, një zjarr përçarjeje mes dy skuadrave përfaqësuese, asaj të Shqipërisë dhe të Kosovës, për sa kohë që në syrin tim, por edhe të gjithë publikut është e qartë që ata dy lojtarë kanë ardhur me vullnetin e tyre të plotë tek përfaqësuesja e Shqipërisë...Të dy kanë konfirmuar se kanë vendosur të vinin dhe ta përfaqësojnë Shqipërinë, duke qenë se janë ndjerë të lënë pas dore te përfaqësuesja e Kosovës. Ndoshta ky reagim i tyre është reagim mllefi por edhe zhgënjimi...Marrëdhëniet vazhdimisht kanë qenë shumë të mira mes dy palëve, edhe mes dy presidentëve dhe nuk besoj dhe nuk duhet që kjo të shërbejë si një rast për përçarje apo distancimi.”, theksoi Halili.

Halili gjithashtu ka bërë të ditur se tashmë janë duke u zhvilluar takime informale mes drejtuesve të FFK-së dhe atyre të FSHF-së, rreth kësaj problematike dhe mënyrës se si duhet vazhduar tutje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat