Tirana, kundër Erzenit me mendjen te derbi

Futboll

Tirana, kundër Erzenit me mendjen te derbi

Më: 22 shtator 2023 Në ora: 11:37
Shehi

Tekniku i bardhebluve Orges Shehi i shqetësuar nga ngjeshja e kampionatit

Tirana shkon në përballjen me Erzenin si kryesuese e kampionatit, por sigurisht me kujdesin për të mos pësuar befasi, që shijakasit kanë treguar se dinë ti bëjnë. Problem në këtë pikë, më shumë se kundërshtari, është ngjeshja e kampionatit. Ky është mendimi i Orges Shehit në konferencën për shtyp të vigjiljes.

“Një tjetër ndeshje, në harkun kohor prej katër ditësh, u bënë tre ndeshje që e luajmë çdo katër ditë.

Përballë Erzenit që edhe këtë sezon, edhe sezonin e kaluar, edhe pse ka pasur problematika në organizim, janë konfiguruar vonë, po bën mirë. një skuadër që ka shënuar pothuajse sa ne, një skuadër me entuziazëm, me dëshirë, gjë që është shumë e rëndësishme në ecurinë e një skuadre.

Mendoj se kemi një ndeshje të vështirë. Do të mundohemi që ta interpretojmë edhe në kuadrin e asaj që të jemi ne ata që do fitojmë takimin”, tha Shehi.

Në këtë pikë, e pashmangshme që ndonjë ndryshim të bëhet, sidomos duke patur parasysh që javën e ardhshme vjen derbi me Partizanin, një takim në të cilin Tirana dëshiron të prezantohet në mënyrën më të mirë. Sidoqoftë, Shehi insiston se vëmendja është e gjitha te Erzeni.

“Rotacion? Nuk është pikësynimi te derbi. Pikësynimi dhe e gjithë epiqendra është te ndeshja e nesërme.

Sigurisht unë e preka edhe pak më parë që luajmë çdo katër ditë.

Do të kemi prapë pas katër ditësh, do të kemi prapë pas katër ditësh dhe sigurisht në disa pozicione që ne jemi të dubluar mund të ketë ndonjë ndryshim, por duke pasur parasysh atë që thash, disa elementë ose disa pozicione janë të dubluara.

Nesër mund të ketë ndonjë zëvendësim, por jo në atë që ne kërkojmë të interpretojmë”, tha tekniku i Tiranës.

Bardheblutë kanë 10 pikë në katër ndeshjet e para, duke ndalur vetëm kundër Teutës. Një start kampionati shumë pozitiv për nga rezultati, por Shehi nuk dëshiron të ndalë këtu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat