Poshtë në renditje të Serie A, Mourinho: Është provizore, në janar ngjitemi sipër

Futboll

Poshtë në renditje të Serie A, Mourinho: Është provizore, në janar ngjitemi sipër

Më: 25 shtator 2023 Në ora: 15:09
Jose Mourinho

Roma nuk ka arritur të marrë më shumë se një barazim 1-1 në transfertë ndajTorino.

Romelu Lukaku kaloi “Giallorosët” në epërsi, por në fund të ndeshjes ishte Duvan Zapata që barazoi shifrat për të ndalur një pikë në shtëpi.

Pas këtij barazimi Roma mbetet në vendin e 13-të në kampionat me vetëm pesë pikë pas pesë ndeshjeve të zhvilluara.

Jose Mourinho ka thënë se nuk duhet ta shikojnë njëherë tabelën pasi në janar nuk do të jenë në këtë situatë.

“Jam i trishtuar për rezultatin por jo për performancën. Kemi luajtur një ndeshje të mirë në një fushë që në krahasim me Olimpicon në Romë është një pasarelë. Nuk do e kritikoj më fushën e Olimpicos me këtë që pashë. Në fund janë dy pikë të humbura, sepse pësuam gol nga një top joaktiv. Është e vështirë të luash kundër Torinos, por më pëlqeu skuadra ime. Luajtëm një ndeshje me sakrificë dhe përpjekje të madhe”, tha Mourinho.

“Aktualja nuk është renditja e vërtetë. Në dhjetor-janar nuk do na shihni sërish këtu ku jemi”, u shpreh portugezi, i cili u ndal edhe te problemet në mbrojtje dhe pësimi i golave.

“Mos harroni që kemi humbur Ibanez, një mbrojtës shumë i fortë. Të gjithë e mbajnë mend për gabimet e tij, por ai është një mbrojtës i jashtëzakonshëm. Mungon edhe Smalling. Gjithsesi, mua më pëlqyen shumë Paredes dhe Cristante. Në takimet e ardhshme do të pësojmë më pak”, përfundoi Mourinho.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat