Mes rinovimit me Interin dhe sirenave saudite

Futboll

Mes rinovimit me Interin dhe sirenave saudite

Më: 30 shtator 2023 Në ora: 14:51
Lautaro

“Arabia Saudite?

Është një treg plot tundime, klienti im ka marrë shumë propozime dhe jo vetëm prej andej. Por, kur i them për këto mundësi, Lautaro më përgjigjet: Inter Ale, vetëm Inter”.

Janë këto fjalët e Alejandro Camano, agjent i sulmuesit dhe kapitenit të Interit, Lautaro Martinez. “Ndjenja e përkatësisë është e rëndësishme dhe ai e ka atë, – tha Camano për “TvPlay”. – Afiniteti me klubin, tifozët dhe projektin është total. Lautaros nuk i intereson asgjë tjetër përveç Interit.

Lautaro është tani tek Interi sepse i pëlqen klubi dhe skuadra. Këtë verë e gjithë bota foli për transferimin e tij të mundshëm në një ekip tjetër, por realiteti është se ai vendosi të qëndrojë, sepse i pëlqen qetësia dhe e konsideron Interin ekipin e tij ideal. Ai është i lumtur, ndihet mirë si kapiten i ekipit, po pret edhe një fëmijë tjetër.

Duhet të punojmë që Lautaro të jetë gjithmonë i lumtur. Besoj se rinovimi është një mundësi dhe për këtë kemi folur edhe me klubin, edhe me lojtarin. Lautaro ka një lidhje të rëndësishme shpirtërore me Interin, ndaj po punojmë me klubin për paqen e të gjithëve. Besoj se është e rëndësishme të kemi një lidhje të qëndrueshme. Ai hodhi poshtë shumë opsione të tjera tunduese, sepse dëshiron të qëndrojë tek Interi.

Lautaro ka një lidhje familjare me Interin. Kemi punuar së bashku për shumë vite, për rinovimin ndihemi të qetë. Do të punojmë për të bërë të lumtur një lojtar që ndihet i afërt me projektin. Sezonin e kaluar, Interi arriti deri në finalen e Ligës së Kampionëve, kësaj vere u forcua për të qenë skuadra më e rëndësishme në futbollin italian”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat