Morata rrëfen disa nga momentet kyçe në karrierë

Futboll

Morata rrëfen disa nga momentet kyçe në karrierë

Më: 12 tetor 2023 Në ora: 12:13
Morata

Alvaro Morata duket se është kthyer në ditët e tij më të mira me Atletikon e Madridit dhe me kombëtaren spanjolle.

Gjatë një interviste të dhënë për “Cadena SER”, ai ka folur për të kaluarën dhe të tashmen në prag të dy përballjeve të rëndësishme të “furisë së kuqe” kundër Skocisë dhe Norvegjisë, që me shumë mundësi do të vlejnë biletën për në “Gjermani 2024”.

Por, mes të tjerash, gjatë intervistës së tij, ish-sulmuesi i Juventusit ka thënë se në një moment të caktuar në karrierën e tij mendoi të tërhiqej nga futbolli.

“Unë i kuptoj njerëzit që më kritikojnë për atë që bëj në fushë, edhe pse shumica e fjalëve që kam lexuar e dëgjuar janë të pakëndshme. Më është dashur të punoj shumë me veten. Ka pasur momente gjatë karrierës kur kam menduar të tërhiqem, sepse më dukej gjithçka e pavlerë”, theksoi ai.

Duke iu kthyer të njëjtës histori, Morata ka deklaruar se ka marrë vendimin e duhur për të mos u dorëzuar.

“Sot që flasim ndihem krenar që vendosa të vijoj edhe pse siç e përmenda më lart kishte momente që as nuk doja dhe as nuk kisha forcën e duhur.

Nëse vendosa të vijoj duke luajtur për këtë i detyrohem familjes sime dhe personave me të cilët punoj. Sa për kritikat, nuk është se ato mungojnë, por nuk mund t’ia mbyll gojën askujt.

Personalisht ndihem mjaft mirë për mënyrën se si po shkojnë punët, si në klubin ku aktivizohen, ashtu dhe në kombëtare.

Nuk pres që njerëzit të më duan apo që të bëhem lojtari më i rëndësishëm, por më vjen mirë që njerëzit më respektojnë.

Kam kaluar shumë momente të vështira, të shëmtuara. Por kam pasur mbështetjen e familjes dhe ja tani jam krenar për t’u treguar fëmijëve të mi historinë time”, tha Morata.

Sulmuesi foli dhe për ndeshjen kundër Skocisë, duke e cilësuar si shumë të rëndësishme.

“Është një ndeshje mjaft e rëndësishme për ne. Nuk e shoh si ndeshje revanshi për humbjen në Skoci, e shoh ndeshje të rëndësishme për t’u fituar për llogaritë tona në grup”, tha sulmuesi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat