Mbappe: Shihemi në Gjermani

Futboll

Mbappe: Shihemi në Gjermani

Më: 14 tetor 2023 Në ora: 11:46
Mbappe

Kylian Mbappe është i fiksuar me rekordet, ashtu si idhulli i tij Ronaldo, por gjatë gjithë karrierës nuk është shkëputur kurrë nga shpirti i grupit. Këtë e ka treguar edhe duke bërë ndërmjetësin për të marrë Lukas Hernandezin dhe Kolo Muanin te PSG-ja, teksa dje ishin që të tre në fushë edhe si titullarë.

Për të tashmë dyzet e dy gola në kombëtare. Dopieta e shënuar ndaj Holandës dje i mundëson sulmuesit të parakalojë Mishel Platininë në renditjen e golashënuesve historikë të përfaqësueses transalpine. Rekordin e tij, sulmuesi i PSG-së, e arriti në ndeshjen e tij të 71-të me Francën, ashtu si “Le Roi”.

Ndërkohë, Mbape është i katërti në renditjen totale dhe para tij janë Antuan Grizman (44 gola), Tierri Henri (51) dhe Olivie Zhiru (54). Duket se gjithçka është çështje kohe, pasi nuk duhet harruar se djaloshi i lindur në periferi të Parisit është vetëm 24 vjeç.

DEKLARATA – Pas ndeshjes, Mbape ka folur për mediat. Në deklaratën e tij, sulmuesi theksoi: “Bashkëpunimi i këtij ekipi është perfekt. Donim të mos pranonim një gol, është një njollë, është një ekzagjerim ta them këtë, por jemi perfeksionistë. Holanda mbetet një ekip i mirë. Dizavantazhi i bëri që të kërkonin të sulmonin dhe shënuan. Duam të jemi perfekt, por sot kënaqemi me faktin se jemi kualifikuar”.

Tashmë Franca i drejtohet Gjermanisë si një ndër favoritet. Mbapesë i mungon trofeu i Europianit, por ai preferon të shmangë deklarata euforike.

“Jemi të lumtur, është një emocion i mrekullueshëm. Erdhën shumë tifozë deri në Amsterdam e nuk donim t’i zhgënjenim.

Familjet janë atje, të gjithë janë të lumtur, do ta shijojmë në dhomat e zhveshjes. Ne kemi besim sepse jemi një grup cilësor”, përfundoi 24-vjeçari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat