Bushi: Reaguam mirë pas humbjes, duam edhe ne Europianin

Futboll

Bushi: Reaguam mirë pas humbjes, duam edhe ne Europianin

Më: 17 tetor 2023 Në ora: 18:22
Alban Bushi

Trajneri i Shqipërisë U21, Alban Bushi vlerësoi maksimalisht fitoren e Shpresave Kuqezi në ndeshjen ndaj Malit të Zi, pasditen e të martës në Rrogozhinë. Bushi tha se ky ishte reagimi që priste prej të tijve pas një humbjeje, teksa theksoi edhe mungesat e shumta.

Si e patë skuadrën sot, pas një ndeshjeje ku humbët me rezultatin e thellë 4-0?

Vuajtëm shumë në Finlandë, ndërsa sot ishte një ndeshje krejt tjetër, edhe pse kishim 5 mungesa. I falënderoj të gjithë lojtarët, edhe ata që ishin në stol, sepse pas një humbjeje është e vështirë të ngresh kokën. Ia dolëm të reagojmë dhe të marrim fitoren.

Pas një viti e ruani portën të paprekur…

Është shumë e rëndësishme të mbash portën të paprekur, pasi ne nuk kemi shumë alternativa në repartin e mbrojtjes. Lamë shumë hapësira edhe sot, por shkoi mirë, pasi ishim të angazhuar maksimalisht. Vuajtëm pak për shkak të terrenit, pasi ishte shumë i rrëshqitshëm, por morëm fitoren dhe kjo vlen.

Në nëntor kemi dy ndeshje në transfertë. Çfarë prisni nga këto sfida?

Kemi nxjerrë mësime nga humbja në Finlandë dhe do të shkojmë në të dy sfidat për të marrë maksimumin. Nuk duhet të fluturojmë, por duhet të japim maksimumin, pasi i kemi mundësitë të marrim fitoren në këto transferta.

Shqipëria e Sylvinhos një hap larg Gjermanisë. Po Shqipëria e Bushit a i ka shanset të kualifikohet?

Më vjen shumë mirë që ekipi A po bën shumë mirë, pasi ka 12-13 lojtarë që kanë dalë nga shpresat. Edhe ne kemi shumë mundësi, pasi ekipi A na ka frymëzuar të gjithëve dhe shpresoj të bëjmë më të mirën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat