Laporta: “Madridizmi sociologjik” po e përdor rastin “Negreira” për ta njollosur emrin e Barçës

Futboll

Laporta: “Madridizmi sociologjik” po e përdor rastin “Negreira” për ta njollosur emrin e Barçës

Më: 19 tetor 2023 Në ora: 14:38
Laporta

Joan Laporta mbron pafajësinë e tij dhe të Barcelonës në rastin “Negreira”. Presidenti blaugrana foli në mikrofonat e “Catalunya Ràdio”, pasi mësoi se gjyqtari e akuzoi edhe për krimin e ryshfetit.

Krimi i ryshfetit – “Nuk ka ryshfet, sepse Enríquez Negreira nuk është zyrtar publik dhe nuk ka krim të vazhdueshëm. Unë mund të dokumentoj të gjitha pagesat e epokës sime, të cilat janë audituar gjithashtu. Nga pikëpamja faktike e kemi vërtetuar, edhe nga pikëpamja juridike po e vërtetojmë… Pala që akuzon Barcelonën për ryshfet apo korrupsion nuk mund ta provojë. Vendimi do të jetë në favor të Barcelonës”.

Raportet – “Gjyqtari nuk ka vërtetuar se Barcelona ka përfituar…, sepse nuk është e vërtetë. Këto raporte ishin të dobishme, sepse përdoreshin në planin sportiv. Dhe ne e kemi vërtetuar këtë. Ato raporte ishin të dokumentuara”.

Akuza e tij – “Madje është në kundërshtim me kriteret e Prokurorisë. Nuk ka asnjë bazë dhe nuk ka ryshfet, nuk ka krim të vazhdueshëm. Duke ditur historinë e këtij gjyqtari, prisja të përfundoja duke u hetuar. Do të jem shumë i fortë teksa mbroj interesat e Barçës”.

Fushata kundër Barçës – “Ka një fushatë të orkestruar për të destabilizuar Barcelonën. Është një fushatë e ashpër dhe e paprecedentë, që përfiton nga rasti Negreira”.

Madridizmi sociologjik – “Ka një Madridizëm sociologjik, me shumë forcë, kundër të cilit ne kemi luftuar dhe kemi fituar. Madridizmi sociologjik vuajti presidentin e Barcelonës ndoshta më të mirë në histori… Është një sfidë shumë e madhe të luftosh, me moral sportiv kundër Madridizmit sociologjik.

Jemi mësuar me të. Është në media, në sektorët politikë, në pushtetin sportiv…, duhet ta pranojmë normalisht. Por si katalanas duhet të konkurrojmë dhe kemi fituar kundër kësaj. Ata janë të tmerruar nga një Barcelonë fituese, të admiruar dhe të dashur”.

Rasti Negreira – “Në çështjen Negreira po testojmë hipotezën tonë…, të shohim nëse do të shkojmë në gjyq. Jemi të qetë. Unë jam jurist dhe kjo nuk mund të ketë sukses”.

Madridizëm më sociologjik – “Tifozët sociologjikë të Real Madridit kanë përfituar nga rasti Negreira dhe madje janë shfaqur… Ata duan të ndotin emrin e Barcelonës dhe historinë tonë. Duan të kontrollojnë Barcelonën, madje disa ta përvetësojnë atë. Është një çështje që duhet mbajtur gjithmonë në mend”.

Florentino Perez – “Marrëdhënia ime me Florentino Perezin është korrekte, do të doja që ai të vinte te Barcelona”.

Ekonomia e Barçës – “Financiarisht, klubi tani është më mirë se kur mbërritëm si presidencë. Kemi aktivizuar disa leva që na lejojnë të jemi në këtë situatë. Në këtë moment paraqesim një buxhet që konsolidon stabilitetin e entitetit”.

Llogaritë e klubit – “Deficiti i Barcelonës është ulur, mbetet diçka që nuk mund të bëhet nga sot në nesër. Buxheti ynë është pa leva, ato që partnerët na autorizuan t’i përdorim. Barcelona po konsolidohet dhe tërheqja që entiteti ka për të gjeneruar të ardhura është shumë e rëndësishme”.

Joao Felix – “Unë dua që lojtarët e mëdhenj të qëndrojnë në Barcelonë. Më ka pëlqeyr gjithmonë ai”.

Messi – “Ne i propozuam Leos të kthehej në fillim të këtij sezoni, por mori një vendim që e respektojmë. Ai nuk donte të kishte edhe një vit tjetër presion, ndaj shkoi tek Inter Miami. Messi është një person që ne e vlerësojmë shumë. Do të duhet të gjejmë një moment për t’i bërë atij nderimet e mëdha para tifozëve të Barcelonës”.

Kupa e Botës 2030 – “Hapja e ‘Camp Nou’ do të bëhet në qershor 2026…, por ne mund të kthehemi aty në nëntor 2024. Do të donim një nderim për Messin në ‘Camp Nou’ e ri. Unë do të doja që ky stadium të presë finalen e Kupës së Botës 2030. Me siguri do të jemi vendi i zhvillimit të gjysmëfinales, është stadiumi me kapacitetin më të madh”.

Çështja Rubiales – “Ne e dënuam Rubialesin, të gjithë menduan se do të jepte dorëheqjen, por ndryshoi mendje. Dola në media dhe dënova të gjitha ato qëndrime seksiste dhe abuzive. Kishte njerëz që as nuk reaguan, ne reaguam saktë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat