Kombëtarja shqiptare do të luajë dy ndeshje miqësore me Malin e Zi në muajin nëntor

Futboll

Kombëtarja shqiptare do të luajë dy ndeshje miqësore me Malin e Zi në muajin nëntor

Më: 21 tetor 2023 Në ora: 17:10
Kombëtarja shqiptare

Kombëtarja shqiptare e Futsallit do të zhvillojë dy ndeshje miqësore me Malin e Zi në muajin nëntor.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se është arritur një marrëveshje me Federatën Malazeze të Futbollit që këto ndeshje të zhvillohen në datat 8 (ora 19:00) dhe 9 (ora 17:00)  nëntor në Tiranë, me të dyja sfidat që do të luhen në sallën e lojërave me dorë “Feti Borova” në kryeqytet.

Kjo nuk është hera e parë që këto dy Kombëtare do të përballen në ndeshje miqësore, pasi në muajin qershor të këtij viti, kuqezinjtë e Erind Resulit zhvilluan dy takime ndaj Malit të Zi në transfertë.

Të dyja sfidat përfunduan në barazim, e para nuk prodhoi asnjë gol 0-0, ndërsa takimi i dytë 2-2.

Më pas në muajin shtator Kombëtarja shqiptare e futsallit zhvilloi dy miqësore ndaj Zvicrës, me të dyja sfidat që u luajtën në sallën “Feti Borova”. Kuqezinjtë regjistruan dy fitore, e para me përmbysje 3-2, ndërsa e dyta me rezultatin e thellë 7-1.

Pas sfidave miqësore, stafi teknik është shfaqur shumë i kënaqur, jo vetëm me rezultatet pozitive, por edhe me  paraqitjen e lojtarëve të rinj të grumbulluar në këto sfida.

Ndeshjet miqësore janë shumë të rëndësishme pasi i japin mundësi trajnerit të Kombëtares së Futsallit, Erind Resuli dhe stafit teknik, që të provojnë lojtarët e rinj, që mund të jenë të vlefshëm për Kombëtaren në kompeticionet e ardhshme zyrtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat