Kalendari kthehet në ferr në La Liga

Futboll

Kalendari kthehet në ferr në La Liga

Më: 22 tetor 2023 Në ora: 11:20
Pamje nga një ndeshje

Futbolli ka lëshuar prej kohësh sinjalin “SOS”, ku shkaku kryesor është bërë kalendari gjithnjë e më rraskapitës. Të shumtë janë zërat që janë ngritur kundër ritmit marramendës të ndeshjeve që lojtarët durojnë.

Por ajo që filloi si reflektim ose thirrje për vëmendje ka përfunduar duke u bërë, prej disa kohësh, një klithmë e dëshpëruar.

“Po i dërgojnë lojtarët në thertore” tha së fundmi trajneri i Lacios, Mauricio Sarri. Nuk ka qenë i vetmi që ka ngritur zërin.

“Ne luajmë shumë ndeshje dhe kjo materializohet përmes dëmtimeve”, paralajmëroi Tçuameni. “Duhet të mendoni për lojtarët, sepse nëse ata lodhen, nuk ka asgjë për të bërë”, shtoi Ançeloti.

Këto nuk janë ankesa alarmante apo të pabaza.

Në sezonin e kaluar, një lojtar i Realit të Madridit kishte mundësinë të luante 75-76 ndeshje! 61 me Madridin midis Superkupës së Europës, Superkupës së Spanjës, Ligës, Ligës së Kampioneve, Kupës së Botës për Klube dhe Kupës së Spanjës; dhe një seri tjetër prej 13-14 ndeshjesh me kombëtaren.

Kjo është ajo që ndodhi me lojtarë si Tçuameni e Kamavinga, kalendari i të cilëve arriti në 74 ndeshje!

Këtë sezon, asgjë nuk ndryshon. Priten madje lojtarë që të arrijnë deri në 80 ndeshje në sezon, një çmenduri!

Pasojat? Në dy muajt e fundit shtator-tetor, në mesin e 20 skuadrave të La Ligës ka pasur 122 të dëmtuar, 80 në shtator dhe 41 në tetor, që ende nuk është mbyllur.

Realiteti është kokëfortë dhe të dhënat tregojnë se shëndeti i lojtarëve sot është në rrezik. Dhe nuk dihet asnjë metodë që mund të shpëtojë shëndetin e një lojtari me këto kalendarë që na presin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat