Juventus kthen fokusin nga Premier League

Futboll

Juventus kthen fokusin nga Premier League

Më: 8 nëntor 2023 Në ora: 14:55
Allegri

Juventus po përjeton një moment shumë të mirë, me skuadrën e Allegri-t që pozicionohet si forcë e dytë në Serie A pas 11 javësh, ndërsa në klasifikim ka vetëm dy pikë më pak se kryesuesit e Interit.

Pas një periudhe jo të qetë, situata në klubin torinez duket drejt përmirësimit dhe drejtuesit e klubit kanë vendosur të ndihmojnë trajnerin, por edhe skuadrën, kjo pasi Juventus po bëhet gati të lëvizë në merkaton e dimrit.

Duke pasur parasysh faktin se Paul Pogba u pezullua për doping dhe Fagioli gjithashtu për bastet, Allegri ka kërkuar nga drejtuesit përforcime dhe “bardhezinjtë” kanë kthyer fokusin nga Premier League.

Italianët po ndjekin me interes disa lojtarë në “ishull”. Fillimisht bëhet fjalë për mesfushorin e Tottenham, Pierre-Emile Hojbjerg, të cilin Juventus e ka ndjekur nga afër në derbin e Londrës ndaj Chelsea-t, ndërsa alternativa tjetër është njëri midis Partey dhe Phillips.

Danezi është emri i parë në listë për “Zonjën e Vjetër”, i konsideruar si profil i duhur për mesfushën, i cili garanton qëndrueshmëri dhe eksperiencë. Megjithatë, Juventus ka konkurrencë për të mposhtur, sepse për shërbimet e Hojbjerg interesohen edhe Atletico Madrid e Manchester City, por edhe çmimi prej 30 milionë euro është një hallkë tjetër në këtë operacion.

Një çmim për të cilin Tottenham vështirë se mund të negociojë, kjo pasi nuk ka nevojë të shesë Hojbjerg, që do të jetë shumë i dobishëm në janar duke pasur parasysh largimet e Sarr dhe Bissouma për Kupën e Afrikës.

Italianët janë të vendosur për të hyrë në këtë operacion dhe pritet që të nisin shumë shpejt bisedimet, megjithatë Juventus ka edhe alternativa të tjera.

Thomas Partey, mesfushori i Arsenal-it, i cili gjithashtu kushton 30 milionë euro dhe Kalvin Phillips i Manchester City-t, për të cilin po mendohet një huazim deri në fund të sezonit.

Janari tashmë është shumë afër dhe në shtëpinë e Juventus-it po pritet me shumë interes, për të parë se çfarë do të ndodhë dhe nëse drejtuesit do të jenë në gjendje për të pasuruar mesfushën e Allegri-t.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat