Ish-trajneri i Dinamos zbulon të vërtetën pas penalltisë së Tottit në Euro 2000

Futboll

Ish-trajneri i Dinamos zbulon të vërtetën pas penalltisë së Tottit në Euro 2000

Më: 11 nëntor 2023 Në ora: 11:30
Pamje nga një ndeshje

Nëse penalltitë në stilin “panenka” janë bërë shumë të famshme, një meritë për këtë ka padyshim edhe ish-lojtari i Romës, Francesco Totti. Ish-sulmuesi italian i përdorte shpesh ndërsa një nga penalltitë e tij më të famshme të ekzekutuar në këtë mënyrë është ajo ndaj Holandës në gjysmëfinalen e Euro 2000.

90-minutat dhe koha shtesë nuk prodhuan fitues, ndaj skuadrat iu drejtuan 11-metërshave, por në atë moment aq të tensionuar askush nuk priste që Totti të godiste në atë formë.

Përveç njërit, Luigi Di Biagios. Di Biagio, që së fundmi ishte në krye të Dinamos, zbuloi së fundmi se Totti e kishte lajmëruar se do të godiste në stilin “panenka”.

“Në momentin që Totti niset për të goditur, ne ishim të gjithë të përqafuar. Kisha në krah Paolon (Maldinin) dhe Fabion (Cannavaron), i them shikojeni sepse do të bëjë një parabël. U kthyen nga unë dhe më thanë, mos je i çmendur?

Por, Totti bëri atë që unë thashë. Unë e dija se çfarë do të bënte Totti, ma kishte thënë një muaj më parë, por nuk mund të flisja. Ideja e Tottit erdhi nga fakti që në atë kohë portierët kërkonin të zgjateshin sa më shumë në të majtë apo në të djathtë. Ndaj, Totti mendoi të godiste në qendër dhe të shënonte një gol në dukje të lehtë”, u shpreh Di Biagio.

Në fund, Italia ia doli të kalonte Holandën dhe të kualifikohej në finalen e Euro 2000, aty ku më pas u mposht nga Franca me përmbysje teksa golin vendimtar e shënoi Trezeguet në kohën shtesë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat