​Gliha zbulon pse mungojnë Zhegrova, Rrahmani e Hadërgjonaj

Futboll

​Gliha zbulon pse mungojnë Zhegrova, Rrahmani e Hadërgjonaj

Më: 11 nëntor 2023 Në ora: 18:41
​Gliha zbulon pse mungojnë Zhegrova, Rrahmani e Hadërgjonaj

Kombëtarja e Kosovës ka mbajtur sot konferencën për media para ndeshjes së nesërme kundër Izraelit.

Për mediat u paraqitën trajneri i kombëtares, Primozh Gliha dhe sulmuesi, Vedat Muriqi.

Gliha fillimisht zbuloi se pse mungojnë në grumbullim yjet e kombëtares si Amir Rrahmani, Edon Zhegrova e Florent Hadërgjonaj.

Gliha: Mungesat në futboll janë normale

"Besoj që të gjithë pajtohemi që është një situatë goxha speciale dhe po luajmë ndeshjen në një termin jo të zakonshëm për ndeshjet e ekipeve kombëtare, dhe kjo ka sjellë shumë probleme në mënyrën se si janë qasur edhe klubet, pastaj ka pasur edhe vendime personale të futbollistëve dhe gjithçka tjetër që e kanë krijuar këtë situatë të tillë, edhe për disa prej futbollistëve ka qenë e pamundur të jenë këtu për arsye të ndryshme, por besoj që mungesat në futboll janë diçka krejt normale", tha Gliha.

Më tej, Gliha tregoi se sa ka pasur mundësi kombëtarja që të përgatitet për ndeshjen e nesërme kundër Izraelit.

Gliha: Duhet të veprojmë në rrethanat në të cilat gjendemi

"Kjo e nesërmja duhet të jetë ndeshja e katërt që unë e udhëheq Kosovën prej që unë e kam marr detyrën tash, dhe për katër ndeshje gjatë krejt kësaj periudhe kam pas vetëm nëntë stërvitje. Pyeteni secilin trajner në botë nëse nëntë stërvitje janë të mjaftueshme për ta përgatitur ekipin për katër ndeshje. Besoj që çdo kush do të thoshte që jo, por kjo është situata dhe këto janë rrethanat me të cilat duhet të punojmë sidomos me ekipin kombëtar, por në kombëtare ka specifika të ndryshme, e një prej tyre është që ta përgatisësh ekipin shumë shpejt, dhe ne provojmë ta bëjmë një gjë të tillë. Lojtarët janë mjaft inteligjent, dëgjojnë dhe dëshirojnë të luajnë për Kosovën, dhe kjo është më e rëndësishmja dhe ne duhet të veprojmë në rrethanat në të cilat gjendemi”, tha Gliha.

Ndërkaq, kishte shumë spekulime se klubet nuk po i lejojnë lojtarët që t'i bashkohen Kombëtares së Kosovës për shkak të ndeshjeve në kampionatet e tyre, por situatë e njëjtë nuk ishte edhe te Vedat Muriqi.

Mallorca e shtyu ndeshjen me Cadizin për shkak të Muriqit, dhe ky i fundit tregoi se nuk ka pasur presion nga klubi i tij dhe se ka qenë i vendosur që t'i përgjigjet pozitivisht ftesës së "Dardanëve".

Muriqi: Pasi e mora ftesën, i thash klubit se më duhet të shkoj

"Në radhë të parë unë kam qenë i vendosur që pasi që e mora ftesën, i thash klubit që unë duhet të shkoj, ngaqë është një detyrë për të luajtur me kombëtaren... Kështu që nuk kam pas presion, kam qenë i vendosur dhe i vetëdijshëm që duhet ardhur për të luajtur", tha Muriqi.

Kombëtarja e Kosovës nesër me fillim nga ora 20:45 do ta zhvillojë në stadiumin "Fadil Vokrri" ndeshjen kundër Izraelit, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat