Pas më shumë se një dekade si futbollist i Realit, Modric mund të ndërrojë ambient

Futboll

Pas më shumë se një dekade si futbollist i Realit, Modric mund të ndërrojë ambient

Më: 19 nëntor 2023 Në ora: 09:01
Luka Modric

Agjenti i Luka Modric ka zbuluar se mesfushori i Real Madridit është i hapur për një kalim në Ligën Sauditë në rast se një “ofertë e përshtatshme” vjen në drejtim të tyre.

38-vjeçari konsiderohet gjerësisht si njëri ndër futbollistët më të mirë në histori, falë paraqitjeve të tij të jashtëzakonshme në karrierën 12-vjeçare si lojtar i Real Madridit.

Ylli kroat ka fituar pesë herë Ligën e Kampionëve gjatë kohës së tij në “Santiago Bernabeu” dhe ishte kurorëzuar me fitimin e Topit të Artë për shkak të paraqitjeve të tij për klubin dhe kombëtaren në vitin 2018, duke u bërë kështu lojtari i tetë i Real Madridit që e fiton këtë çmim.

Modric ka hedhur poshtë oferta nga MLS dhe Liga Saudite gjatë verës në favor të nënshkrimit të një kontrateje njëvjeçare me “Los Blancos”, por që tani po ‘vuan’ mungesën e minutave pasi që ai ka startuar në vetëm katër ndeshje në La Liga këtë sezon. Kjo ka bërë që thashethemet për një largim nga klubi të rriten së fundmi.

Ai ka refuzuar ta përjashtojë mundësinë e largimit nga Real Madridi hiq më larg se në janar, pas një bisede të hapur dhe të sinqertë me Carlo Ancelottin për minutat e limituara këtë sezon.

Këto lajme në një intervistë i ka pohuar edhe agjenti i tij Borja Couce duke thënë se ekziston mundësia për largimin e Modric nga kryeqyteti i Spanjës.

“Këtë verë ka pasur interesim për Modric nga Arabia Sauditë të cilët dëshironin të nënshkruanin me të. Modric po mendon momentalisht vetëm për Real Madridin, por ideja e kalimit në Ligën Saudite është e mundshme nëse oferta është e përshtatshme”, ka thënë agjenti i Modric.

Në rast se kalon në Arabi, Modric do të bashkohej me ish-bashkëlojtarin e tij Karim Benzema, i cili këtë verë u largua në drejtim të Lindjes së Mesme, më saktësisht tek klubi Al-Ittihad, aty ku do përfitojë 516 milionë euro në një marrëveshje trevjeçare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat