Guardiola ka ekipin më të disiplinuar në Angli

Futboll

Guardiola ka ekipin më të disiplinuar në Angli

Më: 23 nëntor 2023 Në ora: 13:45
Guardiola

Janë zbuluar skuadrat dhe lojtarët më të padisiplinuar të Premier Ligës, të cilët janë ndëshkuar me kartonë të verdhë për protesta ndaj arbitrit.

Pas 12 javëve të para të kampionatit, janë ndëshkuar me karton të verdhë për protesta ndaj vendimeve të gjyqtarëve plot 61 futbollistë të ndryshëm.

Në këtë klasifikim, vendin e parë e mban klubi i Fulhamit, lojtarët e të cilëve kanë marrë 11 kartonë të verdhë për protesta.

Njukasëlli dhe Totenhemi renditen së bashku në vendin e dytë, me tetë kartonë, ndërsa më pas vijojnë Uest Hemi dhe Uolvesi me nga shtatë.

Ndërkohë që Evertoni dhe Mançester Siti janë dy skuadrat më të disiplinuara në këtë drejtim, me vetëm një lojtar që është paralajmëruar për kontestimin e vendimeve të trupës gjykuese. Mançester Junajtidi, Liverpuli dhe Çelsi renditen të gjitha në mes të tabelës me nga katër kartonë secili klub, ndërsa Arsenali ka dy lojtarë të ndëshkuar.

Por Çelsi ka këtë rekord kartonësh veçanërisht për shkak të sulmuesit rebel, Nikolas Xhekson, i cili është edhe një nga futbollistët që është ndëshkuar më shumë në këtë kampionat, me tre kartonë për protesta. Po tre ndëshkime kanë edhe Lukas Paketa i Uest Hemit dhe Shon Longstaf i Njukasëllit. Numri total i kartonëve të nxjerrë për këtë kategori thyerje të disiplinës shkon në 88.

Nëntë lojtarë të ndryshëm, duke përfshirë kapitenin e Mançester Junajtidit, Bruno Fernandesh dhe fantazistin e Totenhemit, Xhejms Medison, kanë marrë nga dy kartonë. Në frontin e trajnerëve rebelë, tekniku i Mançester Junajtidit, Erik ten Hag, është shkelësi më i keq i disiplinës bashkë me kolegun e Fulhamit, Marko Silva, me nga tre kartonë secili. Trajneri holandez nuk do të jetë i pranishëm në fushë kur Junajtidi të përballet me Evertonin në fundjavë.

Pesë trajnerëve të tjerë, përfshirë Pep Guardiolën, Mikel Artetën e Arsenalit dhe Mauricio Poçetinon e Çelsit, u janë treguar të gjithëve nga dy kartonë. Ndërsa Jyrgen Klop (Liverpul) dhe Ange Postekoglu (Totenhem) kanë marrë të dy një paralajmërim për sfidimin e arbitrave. Piter Benks është arbitri që e ka nxjerrë më shpesh kartonin e verdhë për protesta, me 16 paralajmërime, dyfishi i numrit të kartonëve që ka nxjerrë arbitri i dytë në listë, Rob Xhons (8).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat