Egnatia dhe Partizani e mbyllin në paqe

Futboll

Egnatia dhe Partizani e mbyllin në paqe

Më: 23 nëntor 2023 Në ora: 16:35
Pamje nga ndeshja

Nis me homazhet për Raphael Dwamena takimi i prapambetur i javës së 13-të Egnatia – Partizani.

Të gjithë me fanellat me foton e ganezit që humbi jetën tragjikisht në fushë në sfidën e nisur në 11 nëntor, duke tronditur opinionin në Shqipëri e mbarë botën, me mbishkrimin “Prehu në paqe kapiten”.

Buqeta me lule nga drejtuesit më të lartë të të dy klubeve dhe futbollistët në nderim të Dwamena , sulmuesit që fitoi zemrat e publikut shqiptar me paraqitjet e tij me Egnatian, dhe që ja dedikoi jetën me kuptimin e plotë të fjalës futbollit, dhe pasionit për të.

Një minutë heshtje me të dyja skuadrat, me takimin që nis aty ku u ndërpre tragjikisht, në minutën e 24 kur rezultati ishte 1-1 me gola të Malota dhe Bitsouka, me Iskandarli që futet në vedn të Dwamenas, ndërsa te Partizani Qirko zëvendësonte Alban Hoxhën dhe Sembene në vend të Buxhelajt.

Pavarësisht zymtësisë së rastit loja nis e luftuar, tentativë me kokë e Sembene që gjuan lart në të 33. Në ekstremin e pjesës së parë është Pano Qirko që me një superpritje shpëton të kuqtë. Në pjesën e dytë në një aksion model me kombinime të Partizanit është Sherri që i thotë jo tentativës së Tedi Carës në të 56. 6 minuta më pas një goditje për tu harruar me kokë e Iskandarli.

Për t’u shënuar një dëmtim i rëndë në dukje ai i Altin Bytyqit në minutën e 79 me futbollistin nga Suhareka që pasi vendos këmbën keq në fushë kërkon menjëherë ndihmën e stafit mjekësor, dhe largohet mes lotësh me dhimbjen e dukshme teksa ndihmohet nga stafi mjekësor i Partizanit. Largim që lë me 10 lojtarë të kuqtë që i kanë kryer zëvendësimet e lejuara. Në minutën e 89 Partizani ka një rast të artë me Mensah që prezantohet i vetëm me portierin, tenton harkimin por gjuan dobët ish-sulmuesi i Skënderbeut. menjëherë më pas në krahun tjetër vesh petkun e heroit Pano Qirko që me një fluturim spektakolar i thotë jo goditjes së bukur të Zhoel.

Menjëherë më pas gardiani i të kuqve i thotë jo edhe Spahiut që godet nga distanca e afërt por gjen të pakalueshëm Qirkon. Minutat e shtesës edhe pse të luftuara nuk sjellin asnjë ndryshim dhe mbyllet me rezultatin e sigluar në ato 24 minuta të dhimmbshme, 1-1 dhe sfidën që do të mbetet në kujtesë si e para e Egnatias pa kapitenin Dëamena.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat