Mehmeti flet pas fitores

Futboll

Mehmeti flet pas fitores

Më: 23 nëntor 2023 Në ora: 19:31
Mehmeti

Trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, i është gëzuar tre pikëve të radhës të skuadrës së tij. Por ai ka theksuar se për të parë lojë të bukur nga blutë, do të duhet kohë.

“Normalisht Erzeni, sidomos në pjesën e parë arriti të na merrte iniciativën e lojës, për meritë të elementëve që ka, është ekip për t’u respektuar. Por edhe për gabime tonat, si interpretuam fazën ofensive, në pjesën e parë kemi bërë gabime shumë në zotërim të topit, me gabime elementare në pasime, përpos elementëve të mirë të kundërshtarit që na vuri në vështirësi në pjesën e parë.

Normalisht ne kemi elementë të mirë, por kemi një skuadër që është formuar vetëm në momentet e fundit, ka shumë largime e afrime. Mendoj që jemi duke bërë maksimumin dhe është e vërtetë që jam munduar me shumë që t’i jap skuadrës mentalitetin tim, pikët janë goxha të rëndësishme.

I kam dhënë skuadrës qetësinë psikologjike, si të kalojmë situatën se situata ka qenë e vështirë. Kur ke objektiva të rëndësishëm, kur ke largime e afrime, përshtatja është ë vështirë. Unë jam munduar të jem cinik e racional për situatën. Jam i kënaqur për pikët, por kam shumë punë me stafin për të përmirësuar mënyrën si duhet të interpretojmë lojën. Për pjesën e parë jam i pakënaqur, pikët na japin qetësinë dhe duhet të përmirësojmë shumë gjëra.

Në momentin që ë kam marrë skuadrën jam munduar në dy faktorë të rregulloj ekipin përveç aspektit psikologjik, ishim mbrojtja më e dobët me 17 gola.

Jam munduar që të rregulloj aspektin mbrojtës se nëse nuk rregullon aspektin defensiv, nuk mund të arrish të shkosh drejt fitore.

Edhe mënyra si është ndërtuar skuadra, kemi elementë shumë të mirë, por sa i përket Dinamos së bukur që duam, nuk mund të më kërkohet mua loja e bukur tani.

Se duhet shumë kohë. Nëse do të kisha skuadrën që në fillimet e mia, do të kërkoja ndoshta falje sot për lojën, por nuk është aq e thjeshtë.

Nuk ka skuadër, duke filluar edhe te Partizani e Egnatia, që nuk ka nevojë për ndërhyrje, Unë kam bërë plan pune që duhet të fokusohemi te puna dhe të vijë dhjetori të bëjmë analizë të thellë për gjithsecilin e pastaj të nxjerrim në përfundim ku kemi nevoja. Patjetër që kemi nevojë që të futemi në merkato”, tha Mehmeti në mbyllje të ndeshjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat