Dinamo rikthehet te suksesi

Futboll

Dinamo rikthehet te suksesi

Më: 23 nëntor 2023 Në ora: 19:33
Pamje nga ndeshja

Dinamo City rikthehet te suksesi, me skuadrën e Mehmetit që triumfoi 1-0 ndaj Erzenit në “Niko Dovana” në sfidën e vlefshme për javën e 13-të të Kategorisë Superiore.

Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, edhe pse shijakasit ishin më kërkues dhe provuan të diktonin ritmin, por në asnjë moment nuk ia dolën për të kaluar pengesën e fundit, portierin Sali.

Në fraksionin e dytë, Erzeni u shfaq përsëri përpara portës së Salit, por gjërat ndryshuan totalisht, kjo pasi në minutën e 64-të, Atanda u ndëshkua me kartonin e kuq duke lënë shijakasit me dhjetë lojtarë.

Dinamo ia doli të shfrytëzonte superioritetin numerik dhe pas dhjetë minutash gjeti golin e avantazhit me anë të Hoxhës i cili shfrytëzoi momentin pas një goditje nga këndi.

Në minutat e mbetura, Erzeni nuk ia doli të gjente forcën e duhur për të ndryshuar kursin e sfidës, ndërsa dinamovitët vuajtën mungesën e finalizimit për të shënuar golin e qetësisë.

Në fund 1-0 dhe Dinamo rikthehet te suksesi në kampionati duke koleksionuar fitoren e katër sezonale dhe duke prekur kuotën e 15 pikëve, teksa Erzeni tashmë është në krizë rezultatesh, pasi kjo është ndeshja e katërt radhazi pa fitore dhe mbetet me 13 pikë në fundin e klasifikimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat