Për fundin dramatik në Prishtinë, ja kë e fajësonte Sreçko Kataneci në vitin 1984

Futboll

Për fundin dramatik në Prishtinë, ja kë e fajësonte Sreçko Kataneci në vitin 1984

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 25 nëntor 2023 Në ora: 15:02
Sreçko Katanec

Njëra ndër fitoret më të ëmbla të Prishtinës është edhe me Olimpinë e Lubjanës me rezultate 2:1, për faktin se ishte arritur me përmbysje në gjashtë minutat e fundit, saqë skuadra sllovene mbeti e habitur se si mbetën duarbosh nga kryeqyteti i Kosovës. 

Sreçko Katanc në minutën e 55-të kaloi në epërsi Olimpinë.

Në minutën e 84-të, Fadil Vokrri me mjeshtrin e tij e ka barazuar rezultatin, dhe pas dy minutave (96’) Rifat Mehinoviq shënoi me kokë duke lënë të shtangur portierin Darko Bjellojeviq. 

Image

Pamje nga ndeshja Prishtina - Olimpia, 18 mars 1984

18 mars, 1984, Prishtina - Olimpia 2:1 

Stadiumi i Prishtinës.

Shikues: Mbi 15.000.
Shënues: Fadil Vokrri (84') e Rifat Mehinoviq (86') - Sreçko Katanec (55').
Gjyqtar kryesor: Josip Glazhar (Rijeka), ndihmës Jovica Korolia (Zagreb) e Davor Zekan (Split).
Prishtina: Sllobodan Shuica 6, Skënder Shengyli 7, Faton Domi 6, Behajdin Gjinali 6 (Rexhep Gaxholli 6), Petre Gruevski 6, Rifat Mehinoviq 7, Mensur Nexhipi 6, Fadil Muriqi 6, Fadil Vokrri 7, Agim Cana 6 (Sahit Kelmendi) dhe Zoran Batroviq 6.
Olimpia: Bjellojeviq 7, Vujanoviq 7, Radeviq 7, Katanec 8, Hudarini 7, Terçiqi 7, Laloviq 6, Amershek 6, Borovnica 7, Petroviq 7 dhe P. Amershek 6.  

Sreçko Katanec, futbollisti i Olimpisë së Lubjanës, në vitin 1984, për humbjen në finish, e fajësonte ekipin e tij! 

Kështu ka deklaruar Katanec me 18 mars të vitit 1984, pas humbjes nga Prishtina: “Vendësit patën fat jashtëzakonisht të madh, që t’i shënojnë dy gola në finish të takimit,

Sikur ne të ishim më të kujdesshëm, do të ktheheshim në Lubjanë me dy pikë, të cilat, praktikisht do të na siguronin ekzistencën. Por, filluam para kohe të gëzohemi për fitoren, thua se harruam se ndeshja zgjat 90 minuta”.

Prishtina mori dy pikë të mëdha. 

"Loja zgjat 90 minuta apo jo!?

Në çastet kur dukej se Prishtina do të pësoj humbjen e parë para shikuese të vet, erdhën minutat 84 e 86 dhe golat e Vokrrit e Mehinoviqit, në saje të të cilëve humbja u shndërrua në fitore”, ka shkruar me 19 mars të vitit 1984, gazetari Burim Hatipi për sportin e “Rilindjes”.

Duhet theksuar se Prishtina u dëmtua për një penallti në minutën e 67-të. 

Pas javës së 22-të në Ligën e Parë të ish Jugosllavisë, Olimpia renditej në vend të 17-të me 18 pikë e Prishtina në të 11-tin me 22 sosh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat